Djali i policit i shpëton atentatit në Shijak
Një 31-vjeçar i shpëtoi atentatit me armë në zonën e Shijakut edhe pse kamionçina e tij u qëllua me tre plumba. Orlando Paplekaj, djalë i një polici të burgut të Durrësit, ka arritur t'i shpëtojë sulmit ndërsa grupi i hetimit ka nisur veprimet për zbardhjen e ngjarjes.
Durres- Orlando Paplekaj po udhëtonte me këtë kamionçinë mesditën e së shtunë në rrugën Xhafzotaj-Shijak kur u qëllua me të paktën 3 plumba.
Djali 31-vjeçar i një efektivi të policisë është qëlluar nga personat që lëviznin me një makinë tip Golf në ecje e sipër, ndërsa për fat të mirë ka arritur t’i shpëtojë atentatit.
Policia e Durrësit njoftoi se "ai ka humbur kontrollin e kamionçinës dhe ka përfunduar jashtë rruge, por pa marrë lëndime"
Burimet saktësuan se në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 3 gëzhoja në një distancë të afërt me mjetin e Paplekajt.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët kryesore e dytësore, si dhe kanë rrethuar zonën, për të bërë të mundur identifikimin e më pas kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë.
Në deklaratën e parë dhënë para policisë ai ka deklaruar se është ndjekur për disa metra nga makina tip Golf, ndërsa ka parë një person që ka nxjerrë armën tip automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tij, ndërsa ka shtuar se nuk i njeh atentatorët.
Paraprakisht Orlando Paplekaj nuk rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm kriminal.
Babai i tij mësohet se punon me shërbimet e policisë në Burgun e Durrësit, ndërsa vetë ai shpërndante bombula gazi për biznese dhe familjarë, ndërsa në momentin e atentatit ka qenë pikërisht me makinën e punës.
Burimet thanë se policia po heton në të paktën dy pista, atë që lidhet me punën e babait të tij, por edhe konfliktet personale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtoim e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve
