Kontrabandë nga porti i Vlorës: Arrestohen 2 vlonjatë, ikin doganierët
Policia e Shtetit bëri publike detaje të reja në lidhje me aksionin e SPAK në doganën dhe portin e Vlorës. Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim me akuzën për kalimin e mallrave kontrabandë kundrejt ryshfetit. Grupi i hetimit po mbledh prova për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë aktivitet.
Dy persona janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, gjatë aksionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK në portin e Vlorës.
Sipas policisë të arrestuarit janë Arian Kasëmi dhe Skënder Kasëmi të dy banues në Vlorë, cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet ryshfetit ndaj punonjësve të Drejtorisë Doganore Vlorë, fusnin, në territorin e Republikës së Shqipërisë, produkte kontrabandë.
Ndërsa të shpallurit në kërkim Aurel Nebiu dhe Mustafa Meçaj, me detyrë punonjës pranë Drejtorisë Doganore Vlorë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin në këmbim të ryshfetit lejonin kalimin e produkteve kontrabandë.
Sipas burimeve nga grupi i hetimit prej kohësh prokuroria kishte nisur kryerjen e veprimeve me metoda speciale ku dhe është dokumentuar edhe veprimtaria e 4 personave.
SPAK dyshon së personat në fjalë bashkëpunonin edhe me punonjës të tjerë në portin e Vlorës për kalimin e mallrave kontrabandë. Ndërkohë katër personat e përfshirë në hetim deri tani akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publik.