Peshkatarët në Shëngjin: Po falimentojmë
Rritja e çmimeve të karburantit ka prekur edhe sektorin e peshkimit. Në Shëngjin shume peshkatarë nuk po dalin në det, e të tjerë thonë se janë drejt falimentit.
Prej të paktën 1 muaj, pjesa më e madhe e peshkarexhave dhe motobarkave në Shëngjin nuk kanë dalë në det.
Rritja e çmimit të karburantit, po jep ndikim edhe në sektorin e peshkimit.
Kjo situatë por edhe mungesa e ndihmës nga shteti, po i çon peshkatarët drejt falimentimit.
Disa kanë mbyllur aktivitetin e të tjerë janë gati të heqin dore nga ky sektor.
Adriatik Qaja, Peshkatar: " Nga mundësia që nuk pata për tu regjistruar, për punën e çmimit të naftës, nuk pata asnjë lloj ndihme nga shteti, siguracionet dhe të gjitha i kam paguar në mënyrë të rregullt. Mu desh ta mbyllja sepse jam familjar veti i pesti në shtëpi dhe nuk pata terezi për të dalë më. Taksat i kemi pasur 20% prodhimin që nxjerrim me bo faturën e TVSH-së, dakord me shtetin se e kishim të deklaruar. 20% i TVSH-së plus 20% i doganës që e merrnim naftën pa akcizë, për 20% duhej të paguanim përsëri dogana."
Zgjidhje për situatën e krijuar, peshkatarët e shohin tek mbështetja që mund t'ju japë qeveria.
Adriatik Qaja, peshkatar: " Kjo është më keq se gjithkund, sepse në qoftë se në gjithë Shqipërinë ka një pagë a jetohet keq më atë pagë, këtu s'ka pagë fare se njerëzit nuk po dalin në det fare."
Tonin Zefi, peshkatar: " Çdo gjë është katastrofë, çdo ditë do nga 20 mijë lekë benzinë për të dalë në det".
Iris Hasani, peshkatar: " Ne si biznes kemi hasur shumë vështirësi, në radhë të peshkatarët nuk marrin guximin me dalë fare në det, një nga arsyet është se nuk e kanë të sigurt se çfarë nxjerrin prej detit ama kanë të sigurt shpenzimet që bëjnë".
Shqetësimi i peshkatarëve, konfirmohet dhe nga shifrat e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
Sipas të dhënave zyrtare krahasuar me të njëjtën periudhë të 1 viti më parë, numri i anijeve të peshkimit që kanë dalë në det në të gjithë portet e vendit ka rënë me 40 për qind, ndërsa në Shëngjin është përgjysmuar.
Një vit më parë nga porti i Shëngjinit kanë dalë për peshkim 141 peshkarexha, ndërsa në të njëjtën periudhë këtë vit vetëm 72 të tilla janë vënë në lëvizje.