Nuk ka paqe në selinë blu, Noka i përgjigjet Alibeajt: Zgjedhjet brenda PD nuk ndalen në asnjë rast e asnjë rrethanë

Për anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe jo vetëm, platforma e propozuar nga kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj nuk është një nismë që realizon bashkimin e demokratëve. Flamur Noka i bën thirrje Alibeajt që të bëhet pjesë e Kuvendit Kombëtar të 30 prillit, duke kujtuar se askush nuk mund të prevalojë mbi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit të njohur tashmë edhe nga Gjykata.

Platforma e deputetit Enkelejd Alibeajt gjoja për bashkimin e Partisë Demokratike ka hasur në kundërshtimin e pjesëtarëve të rithemelimit të PD-së.

Deputeti Flamur Noka duke e ftuar palën tjetër të marrë pjesë në diskutime të hapura në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit, u shpreh se askush nuk mund të prevalojë mbi vendimet e Kuvendit legjitim të 11 dhjetorit.

"Askush nuk do mundet më të organizojë procese ku 1958 karrige të lexohen si 5004 delegatë. Askush nuk do mundet më të zëvendësojë votën e lirë me blinda dhe gaz lotsjellës, askush nuk do mundet më të manipulojë me firma fiktive vullnetin e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të PD. Koha e përjashtimeve ka përfunduar dhe bashkë me të dhe koha kur vullneti i shumicës injorohet. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë procesi i nisur prej muajsh nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe i rikonfirmuar bindshëm nga vota e demokratëve në zgjedhjet e 6 marsit nuk do ndalojë. Mirëpresim të gjithë ata që janë bërë apo do të bëhen pjesë e këtij procesi por nuk do të lejojmë askënd ta pengojë atë për shkak të frikës që Basha-Alibeaj kanë nga përballja me votën dhe vullnetin e demokratëve", tha Noka.

Më herët ka qenë Edi Paloka i cili përmes rrjeteve sociale ka shprehur keqardhje për kolegët e tij që siç tha ai nuk e kanë lexuar fare se çfarë i kanë vendosur përpara për të firmosur.

Por platforma e pretenduar përbashkuese e Enkelejd Alibeajt ka hasur kundërshtinë edhe të deputetit tjetër demokrat Ervin Salianji, i cili ka mbështetur Lulzim Bashën deri në zgjedhjet e 6 marsit. Me qëndrim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Salianji e quan nismën e Alibeajt si qëllim i ndarjes së PD-së në dy parti.

Deputeti demokrat ka theksuar se deklarata e kreut të  Grupit Parlamentar është e njëanshme pa marrë as dakordësinë për publikim e saj të shumë prej kolegëve të tij.

Partia Demokratike ka nisur një proces ristrukturimi në të gjitha degët e saj në rrethe sipas vendimit të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, e pas përfundimit të saj, demokratët do të mblidhen në Kuvendin e 30 prillit për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar ku ky i fundit do të votojë kryesinë e re të partisë e cila do të caktojë edhe datën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë.