Përgjimet e aferave në Ersekë/ Mësuesja paguhet pa punuar, abuzime me shfrytëzimin e lëndës drusore në zonë

Dosja e prokurorisë së Korçës për abuzimet në bashkinë e Ersekës ka zbardhur abuzime me shfrytëzimin e lëndëve drusore në këtë zonë por edhe punësime abuzive në arsim ku një mësuese merr pagën pa shkuar fare në punë.

Po kështu, hetimet ndaj vartësve të kryebashkiakut Erion Isai, kanë zbardhur edhe raste kur qytetarët duhej të paguanin ryshfet për të përfituar nga procesi i rindërtimit të banesave të prekura nga tërmeti.

Përgjimet e prokurorisë së Korçës, kanë implikuar zyrtarë të bashkisë së Ersekës të drejtuar nga Erion Isai, dhe disa biznesmenë që merren me tregtinë e lëndëve drusore dhe ndërtimin e hidrocentraleve në zonën e Gramshit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në një bisedë të zhvilluar mes Klodian Avdollit dhe Behar Hysollarit, ata thonë se do flisnin me kryetarin dhe ndoshta fillonin të punonin nga data 1 Tetor 2021.

Në këto përgjime del në skemë dhe punësimi fiktiv në administratën arsimore ku synohet të futet një grua në punë si mësuese për një periudhë dy vjeçare, pa shkuar fare në punë, por vetëm sa për të marrë rrogën.

Biseda është zhvilluar në 4 tetor 2021, ku Klodian Avdolli komunikon me djalin e tij, Kleant Avdollin, duke i thënë që nusja e këtij të fundit, Dea Avdolli, të punësohej si mësuese për dy vjet dhe të mos shkonte fare në punë, por vetëm të merrte rrogën.

Dosja nxjerr në skenë rastet e korrupsionit mes zyrtarëve të IKMT-së në Korçë dhe biznesmenit Benet Pino dhe ndërtuesit të hidrocentraleve Mustafa Osmani.

Në një komunikim mes inspektorit Erion Qelemeni dhe biznesmenit Mustafa Osmani, punonjësi Qelemeni i thotë se ishte personi që kishin pirë kafe një ditë më parë dhe se duhet të takoheshin sërish për të biseduar e binin dakord për punën.

Biseda është e muajit shtator 2021, ku gjatë kësaj kohe, Mustafa Osmani, ishte duke ndërtuar një hidrocentral në fshatin Mesmal. Brenda kësaj dite, biznesmeni Osmani telefonon inspektorin e Mjedisit, duke i pohuar këtij të fundit se i kishte dërguar 4 copë për secilin veç e veç, duke mos specifikuar se çfarë ishin këto 4 copë dhe për cilin person.

Përgjimet e SPAK dhe prokurorisë së Korçës, nxjerrin në dritë dhe trajtimin abuziv të rasteve për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, ku qytetarët duhet të paguanin diçka për të hyrë në listën e përfituesve nga bashkia e Ersekës.