Këshilli për Rregulloren i jep mandatit Pandeli Majkos pas arrestimit të Bllakos, pritet të votohet në Kuvend

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë i ka dhënë mandatin e deputetit, Pandeli Majkos, i cili tashmë zëvendëson ish-deputetin Alqi Bllakon, duke qenë se ky i fundit u arrestua, për aferën e incineratorëve.

Sipas njoftimit nga Kuvendi Këshilli për Rregulloren, shqyrtoi sot vendimin e KQZ-së për dhënien e mandatit të deputetit ku pas verifikimit a kaloi për votim në seancën plenare që do të zhvillohet pasditen e sotme (11 prill).

“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi vendimin nr. 140, datë 04.04.2022, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, qarku Tiranë z. Pandeli Sotir Majko” dhe pasi verifikoi mandatin e deputetit z. Majko, ia kaloi seancës plenare të datës 11 prill 2022.”- thuhet në njoftim.

Ish-deputeti Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 31 mars. Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Vendin e tij në Kuvendin e Shqipërisë, e zuri Pandeli Majko, kjo pasi sipas rregullit në Kodin Zgjedhor, ai ka marrë më shumë vota preferenciale se kandidatët e tjerë socialistë në zgjedhjet e 25 prillit vitin e kaluar.