Nisin hetimet për skandalin e pulave të ngordhura në bregdetin e Shëngjinit
Shpendët janë dërguar për ekzaminim në Insitutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në Tiranë për të përcaktuar shkakun e ngordhjes.
Përgjigjia pritet të dalë për dy ditë dhe të ndihmojë në sqarimin e situatës.
Kjo procedurë është kërkuar për të verifikuar nëse pulat kanë ngordhur për shkak të gripit të shpendëve që është përhapur në disa zona të vendit.
Ndërkohë autoritet përgjegjëse në Lezhë kanë nisur gjurmimin për të gjetur vendin se ku janë hedhur pulat e ngordhura.
Zyrtarisht në Lezhë nuk ka vatër të gripit të shpendëve i cili është zbuluar ndërkohë në Shkodër.
Dyshimet janë se shpezët e ngordhura janë hedhur në lumenj në zonat e prekura , e më pas janë nxjerr nga dallgët e detit në bregdet.
Shpendët e ngordhur u konstatuan pasditen e së shtunës në bregdetin e Ranës së Hedhur në Shëngjin.
Pas denoncimit të rastit në media, shpendët u hoqën nga Autoriteti i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve si dhe u dezinfektua e gjitha zona.
Gripi i shpendëve ndërkohë ka krijuar disa vatra në vend duke shkaktuar ngordhjen e disa qindra mijë shpendëve në pulari dhe ekonomi shtëpiake.
