"Mos të lujë njeri me pjesën time!" Policët jepnin ryshfet në drejtorinë e Kukësit për emërimet, në kufi ndanin 'fitimet' me eprorët
Dosja e 31 policëve kufitarë të arrestuar së fundi nga SPAK për korrupsion në pikën kufitare të Morinit në Kukës ka zbuluar implikimin e gjithë aparatit policor në aktivitet të paligjshëm. Sipas përgjimeve, drejtuesit e pikës kufitare ofronin rryshfet për eprorët në policinë e Kukësit për emërimin dhe për vazhdimin e qëndrimit në detyrë. Sipas bisedave, eprorët e pikës kufitare kërkonin pjesën e tyre nga ryshfeti që përfitonin policët nga qytetarët dhe bizneset.
Përgjimet e 31 policëve të akuzuar për korrupsion në pikën e kalimit kufitar të Kukësit mes Kosovës dhe Shqipërisë, kanë zbuluar marrjen e ryshfetit jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe brenda strukturës së policisë.
Konkretisht, efektivat që emëroheshin në pikën kufitare në Kukës, rezulton se jepnin shuma ryshfeti ndaj kolegëve për detyrën që merrnin por edhe për të vazhduar detyrën aty, pasi kishin përfitime monetare nga lejimi i kontrabandës dhe kalimeve të paligjshme në kufi.
Konkretisht një nga efektivat e përgjuar, Shpëtim Canaj, me detyrë përgjegjës turni dhe kontrollor në Morinë, me ndihmën e shefit të personelit në policinë e Kukësit, Altin Beqiri, komandohet shef i pikës së kalimit kufitar në muajin dhjetor, pasi drejtuesi i mëparshëm ishte me leje.
Sipas prokurorisë, nga përgjimet janë konstatuar biseda që bëjnë fjalë për marrëdhënie korruptive, ofrim ryshfeti ndaj eprorëve si dhe pagesa nga vartësit, një skemë që zbatohet në vazhdimësi në këtë pikë kufitare.
Sipas prokurorisë, eprorët kërkonin pjesë nga ryshfeti që merrnin policët dhe përfitimet ndaheshin pasi llogariteshin paratë e mbledhura sipas turneve të ditës dhe natës.
Në datën 11 dhjetor 2020, Shpëtim Cenaj flet me të shoqen për mënyrën si mund ta respektojë Drejtorin.
Cenaj: Pres ndonjë telefonatë nga drejtori nëse më thirr poshtë, do gjo s`ka lujt?
Gruaja: Ça gjo?
Cenaj: Ndonjë respekt, ndonjë marifet
Gruaja: Jo qashtu, respekte të vogla po…Qetësohu o Shpëtim, rri pa merak, merre ti atë, se je në drejtim.
Cenaj: Ai deshte me ju thana, shiko nja katër përgjegjësa që i marrin lekët këta…edhe me ju thanë që do i jepni nga pjesa ime kaq në ditë dhe e dijsha atë pjesën time.
Gruaja: Ai deshte me ju thanë të ditës ti, të natës unë, turnin e natës unë.
Cenaj: Ai i ka porosit të gjithë, atë ditë që ka ik i ka marrë në telefon, tak, tak, tak u ka thanë: Me atë pjesën time mos të luj njeri, hajt njatjeta.
