Hetimet për “sterilizimin” drejt fundit, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shëndetësisë pritet të përballen me akuzat e SPAK

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të sektorit të shëndetësisë në vend pritet të përballen me akuzat e SPAK në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Prokuroria mësohet se është duke finalizuar hetimet për veprat penale korrupsion dhe shpërdorim detyre ndërkohë që KLSH ka denoncuar me kohë problemet me procedurat e koncesionit duke evidentuar edhe anomalitë financiare që lidhen kryesisht me koston e lartë.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, është duke kryer veprimet e fundit hetimore për finalizimin e dosjes penale për shkeljet e gjetura me koncesionin e sterilizimit.

Burime nga grupi i hetimit thanë se hetimi po finalizohet për veprat penale korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërkohë që po përcaktohet edhe përgjegjësia e zyrtarëve shtetërorë që kanë kryer procedurat.

Kontrata për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit dhe kompania që ka fituar koncensionin po paguhet për shërbime të pakryera.

Sipas raportit të KLSH, shpenzimet për sterilizimin dhe furnizimin me instrumente kirugjikale vazhdojnë të jenë jashtë parashikimit të kontratës.

Në raport nënvizohet se në total shërbimi i kryer nga koncensionari për vitin 2019 është 1 685 milionë lekë nga 2 087 milionë lekë të kryera në vitin 2018.

Sipas këtyre të dhënave për vitin 2019 janë realizuar 403 milionë lekë shërbime më pak se një vit më parë.

Në po këtë vit është paguar edhe detyrimi i prapambetur i muajve nëntor-dhjetor 2018 në shumën 614 milion lekë dhe totali i shërbimit të likuidur arrin 2 163 milionë lekë.

Por numri i pajisjeve të sterilizuara duket se ka ardhur në rënie vit pas viti pasi në 2020 janë realizuar 1 252 milionë lekë shërbime, 433 milionë lekë më pak se 2019-ta.

Nisur nga këto të dhëna, KLSH vlerëson se në uljen e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale sipas kompleksitetit dhe paketimeve me avull ka ndikuar faktori i pandemisë, shmangia e operacioneve kirurgjikale të planifikuara në spitale për periudhën e izolimit si dhe amendimi i kontratës së sterilizimit në muajin janar të vitit 2020, për numrin total të ndërhyrjeve që kryhen gjatë një viti.

Auditimi ka zbuluar se nuk ka sistem kontrolli të shpenzimeve të koncensionarit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore dhe se nuk ka asnjë gjurmë për kartelat e kontrolluara për të identifikuar nëse ka mospërputhje të seteve që janë përdorur në një ndërhyrje.

Në këtë mënyrë është e pamundur që të përllogaritet vlera ekonomike e përdorimit të seteve me kompleksitet të lartë në kundërshtim me kontratën.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar që të riformatohen grupet e kompleksiteteve sipas llojit të ndërhyrjes, të riformatohen pajisjet e domosdoshme për çdo lloj diagnoze dhe ndërhyrje, si dhe të strukturohet qartë çmimi për çdo paketë pasi amendimi i kontratës në janar të 2020 ka rishikuar vetëm kontratën e financimit për tejkalimin e kufirit të 63 000 ndërhyrjeve në vit.