Hesht për levat kokës, kancelari i Gjykatës Elbasan “mbyll gojën” për motivet e sulmit

Dhunimi me leva kokës i kancelarit të Gjykatës së Elbasanit mbetet pa autorë. Vetë 51-vjeçari nuk po bashkëpunon për zbulimin e personave që e rrahën dhe më së shumti motivit të sulmit.

Autorët e dhunimit me leva të kancelarit të Gjykatës së Elbasanit Ledio Sulkuqi mbeten ende të lirë, ndërsa motivet të paqarta.

51-vjeçari u sulmua mbrëmjen e së dielës, 10 prill 2022, në rrugicat e lagjes "Kala" teksa kthehej për në shtëpi.

Agresorët e goditën dhunshëm në trup e kokë, duke i shkaktuar dëmtime të shumta për të cilat po trajtohet në spital.

Ajo që bie në sy është fakti që sipas burimeve, 51-vjeçari nuk bashkëpunon shumë me blutë për zbulimin e agresorëve dhe motiveve.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në dëshminë e parë mësohet se ka thënë se nuk i ka njohur njerëzit që e sulmuan por pa dhënë shumë detaje.

Refuzimi i Sulkuqit për të folur ngre dyshime se ai i ka njohur dy personat që e dhunuan dhe motivin.

Ndërkohë policia e Elbasanit ka shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje për rastin, por më pas janë lënë të lirë.

Hetimet për të janë shtrirë në disa pista.

Veç asaj për shkak të detyrës, nuk përjashtohet mundësia që kancelari i Gjykatës së Elbasanit të jetë sulmuar e dhunuar për arsye personale.

Qëndrimet para grupit hetimor e përforcojnë këtë pistë.

Sulmi ndodhi vetëm disa metra larg Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, ku gjurmët ishin të dukshme edhe një ditë më pas.

Njoftimi i policisë

Më datë 10.04.2022, rreth orës 22:30, në lagjen "Aqif Pasha", Elbasan, në rrethana ende të paqarta, është goditur me sende të forta në kokë shtetasi L. S., 51 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Elbasan, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.