Aksioni kundër shitjeve online të mallrave kontrabandë. 22 urdhërarreste në Tiranë, ja emrat e faqeve online
Administratorët e 22 faqeve online të cilat merren me shitjen e produkteve online janë vënë në shënjestër të policisë pasi akuzohen për kontrabandë, fshehje të ardhurash dhe mospagim taksash dhe tatimesh.
Pronarët e 15 dyqaneve online u arrestuan nga policia e Tiranës me urdhër të prokurorisë ndërkohë që gjashtë të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ata akuzohen se përmes faqeve në rrjetet sociale dhe në internet shisnin veshje dhe produkte kozmetike pa faturë tatimore dhe që hynin kontrabandë në vend duke i shkaktuar shtetit dëme të konsiderueshme financiare.
Prokuroria e Tiranës dhe sektori kundër krimit ekonomik kanë kryer një fushatë arrestimesh ndaj pronarëve të dyqaneve online që sheshin produkte përmes shërbimit postar.
Burimet zyrtare thanë se 15 persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve për veprat penale tregtim, transportim dhe magazinim i mallrave kontrabandë, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim.
Hetuesit thanë se të dyshuarit kanë futur në Shqipëri nga vendet Perëndimore, veshje, parfume dhe produkte kozmetike të markave të ndryshme pa paguar detyrimet doganore, duke i shitur ato nën çmimin real.
Disa prej dyqaneve online, sipas prokurorisë shisnin edhe produkte imitime të origjinaleve, të cilat hynin gjithashtu kontrabandë nga Turqia në Shqipëri dhe më pas shpërndaheshin pa fatura tatimore tek blerësit.
Hetimet më shumë se një vjeçare kanë evidentuar faktin se pronarët e këtyre dyqaneve online, i reklamonin produktet e tyre bashkë me çmimet përkatëse me foto dhe video në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
Pasi blerësit i shihnin këto produkte dhe kërkonin për ti blerë ato, kontaktonin me administratorët e këtyre faqeve në rrugë elektronike ose përmes numrave të telefonit të afishuar me qëllim marrjen e produkteve.
Pagesa për veshjet apo produktet e tjera bëhej online ose në momentin e dorëzimit të porosisë nga shërbimi postar, por gjithnjë pa fature tatimore, duke i shkaktuar shtetit dëm financiar.
Sipas prokurorisë, pas nisjes së hetimit, rezultoi se dyqanet, disa prej të cilave nuk ishin as të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, përdornin magazinat e shërbimeve postare për artikujt që shpërndanin.
Kontrolli në këto magazine ka evidentuar produktet e secilit prej dyqaneve online, të cilat ishin në pritje për tu dorëzuar tek blerësit.
Nga këqyrja e pakove postare, prokuroria ka evidentuar se produktet nuk kishin as dokumentacion doganor edhe as faturë tatimore për shoqërimin e mallit.
Pas identifikimit të 22 personave të dyshuar, prokuroria ka kërkuar informacion edhe nga doganat ku ka rezultuar se shtetasit dhe subjektet në fjalë nuk kishin deklaruar futjen e produkteve në Shqipëri dhe nuk kishin paguar detyrimet sipas ligjit duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Te arrestuar dhe ne hetim
1. A H administrator i dy faqeve Online London Fashion dhe Bo Boo Fashion
2. E I administratore tek subjekti Pure Parfume
3. K V administrator i subjektit Klodi Store
4. E K administrator i faqes King Bro Style
5. J Q administrator i faqes Bli Veshje
6. A S administrator i faqes online Jaguar kids
7. P Rr administratore e faqes Gral
8. E K administratore e faqes Fansi Shop
9. E Xh adminsitratore e faqes EMY SHOP
10. E R administratore e faqes Luxmoda
11. M B administrator i faqes online Zero Absolute
12. A D administratore e faqes Garderoba ime
13. G Ll administrator i faqes Outlet Shoes
14. I D administrator i faqes Tutto casa.al
15. M G administratore e faqes HM Original Fashion
16. J K administratore e dy faqeve online Chic&Posh Uk dhe Lulita.Uk
17. S R administratore e faqes online Dars.Al
18. Sh P administrator i faqes Pelinku Store dhe subjekt fizik Shkëlqim Pelinku
19. B B administrator i faqes Carpet Diem
20. R Gj adminsitratore e faqes Divino Shoes
21. E Ç administrator i faqes online BeCool
22. E Z S administratore e faqes online Natura Vita Health
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme produktesh (mallrash), të cilat do të tregtoheshin te klientët nëpërmjet postave.
