Rama pas konferencës së Metës: Si president është turp kombëtar. S’më intereson çfarë bën pasi të lërë detyrën

Rama në fjalën e tij në  Kongres tha se ai i zgjedh kryebashkiakët dhe ministrat në emër të PS-së dhe se do të vijë dita që ata që shkelin ligjin do t’i çojë vetë për veshi te SPAK-i.

Ndërkohë këtë deklaratë e ka komentuar sërish në një deklaratë për mediat, ai tha se nuk e ka ndërmend që të arrestojë njeri, ndërsa shtoi se kjo është puna e drejtësisë dhe jo e kryeministrit.

Edi Rama: Kur fola për të marrë për veshin ndonjërin për ta çuar në SPAK, kisha parsysh faktin se kjo nuk është diçka që ka të bëjë me mua apo qeverinë, por është diçka që ka të bëjë me drejtësinë. Nëse unë do kisha të njëjtën indicie të kësaj natyre, do bëja atë që do bënte çdo qytetar. Nuk kam plan që të arrestoj asnjë njeri. Drejtësinë nuk e bën qeveria e as partia, por sistemi.

Ndër të tjera ai ka komentuar dhe zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa ka theksuar se Ilir Meta është një turp kombëtar teksa uron që sa më shpejt të mbarojë koha e tij në zyrën e presidencës.

Edi Rama: Përsa i përket Metës, dua të ju kujtoj diçka që Gjykata Kushteteuse ka rënë dakord se Meta s'ka shkelur Kushtetutën. Unë s’dua të komentoj vendimet e Gjykatës, por dua të them se Meta si president është një turp kombëtar. Mund të bëjë ç’të dojë si qytetar i lirë. Më intereson që kjo kohë e Ilir Metës në atë zyrë të mbarojë sa më shpejt. S’kam asnjë problem se çfarë kërcënon Ilir Meta.