Rama thirrje socialistëve: Shfrytëzoni mundësinë sa më keni mua, e merrni pushtetin. Themeli i PS janë gratë

Rama thirrje socialistëve: Shfrytëzoni mundësinë sa më

Edi Rama, në fjalën e tij që ka mbajtur në Kongresin e PS-së që ka nisur që prej orës 12;00, u ka bërë thirrje socialistëve që të shfrytëzojnë rastin sa është ai në pushtet që të marrin pjesën e pushtetit që u takon.

Kreu i qeverisë, i cili na kabinetin e tij ka 12 gra ministre tha se ka shumë besim te këto të fundit ndërsa u ka bërë thirrje që organizatat e territoreve që drejtojnë të mos i lënë pa një drejtuese grua ose vajzë.

Edi Rama: Ju e dini që kemi marrë një vendim për të pasur drejtim të barabartë të organizatave. Një burrë ose djalë, ose një grua apo vajzë. E vërteta është se në kuadrin e aktivitetit të përgjithshëm edhe në këtë aspekt ne nuk i kemi kryetaret gra dhe vajza në çdo organizatë. Unë kam shumë besim te gratë e te vajzat dhe mendoj se nëse me burrat është shumë e vështirë t’i çojmë punët deri në fund, me ju nuk duhet të jetë njësoj si me burra në këtë aspekt.

Kështu që do ju bëja thirrje të gjithave që forumin përkatës në territor që keni, të drejtimit të organizatës ta përdorni për të mos lejuar që qoftë dhe një organizatë e vetme të mos ketë një grua apo vajzë aty.  Dhe për të mos lejuar që emrat e bashkëdrejtueseve gra dhe vajza të vendosen nga kryetarët burra ose djem sipas qejfit tyre. Kjo e këtyre viteve të udhëheqjes time të PS është një dallgë anti-patriakale, që mos kujtoni se do të zgjasë pa fund. Shfrytëzojeni këtë dallgë tani sa më keni mua , dhe merrni pushtetin në PS, pjesën e pushtetit që ju takon.

Ndër të tjera Rama i bindur tha se arsyeja e fitoreve dhe themeli i PS janë gratë.

Edi Rama: Në të gjitha nivelet dhe sidomos në bazë, ku unë e kam thënë se kjo parti fiton, por ndryshe nga çfarë duket, themeli i fitores së kësaj partie janë gratë. Është përgjegjësia juaj që ky vendim që kemi marrë të mos zbatohet është e pakuptim. Garancia e zbatimit të këtij vendimi duhet të jeni ju, s’kemi çfarë ju kërkojmë burrave. Në këtë proces që do të hyjmë tani, pjesa e grave duhet të jetë në rregull, sepse pjesa e burrave s’do jetë kurrë në rregull.