Çifti i të moshuarve: Me shtrenjtimin e çmimeve jetesa na është bërë e vështirë
Pensionistët janë shtresa më e prekur nga rritja e çmimeve. Një çift të moshuarish tregojnë se edhe pse të dy bashkë marrin 50.000 lekë pension me shtrenjtimin e çmimeve jetesa për ta është vështirësuar ndaj apelojnë që shteti t'i ketë në vëmendje.
Çifti i pensionistëve Lefter dhe Violeta Thoma prej vitesh jetojnë vetëm në një shtëpi me qira.
Pensioni i tyre që kap vlerën prej 50.000 mijë lekësh është i pamjaftueshëm, pasi me rritjen e çmimeve jetesa është vështirësuar shumë.
"Marrim 50 mijë të reja të dy. Me këto rritje na vështirësohet sepse ne jemi të sëmurë dhe kemi problem me ilaçet. Sërish jemi në vështirësi", thotë zoti Lefter.
"Ke ujin, dritat, transportin", thotë zonja Violeta.
"Një ditë të dalësh të bësh pazar, dola un dje vetëm perime harxhova 20 mijë lekë. Është e vështirë jeta", thotë zoti Lefter.
Edhe pse kanë dy fëmijë, të dy janë përpjekur që t’ia dalin vetë e të mos kërkojnë ndihmë.
"Po çfarë do na ndihmojnë ata me rrogë 400 mijë që marrin në Shqipëri do na ndihmojnë ne?" thotë zonja.
Teksa na tregojnë vështirësitë që janë hasur me rritjen e çmimeve ato thonë se mungesa e një pune të mirë dhe page është arsyeja e largimit të të rinjve.
"Sot është liria dhe ai do kërkojë jetë më të mirën kushte më të mira", thotë zoti Lefter.
Për to qeveria duhet të bëjë akoma më shumë për të moshuarit duke mos i lënë pas dore.

