"Më sill 10 birra" Kodet e trafikut të kokainës: Si porositej droga nga grupi i Ergys Dashit
"Më sill 10 birra. Porosit 2 copë e gjysëm"
Këto kanë qenë bisedat e shkurtra mes bashkëpunëtorëve të Ergys Dashit, i cili u vra pak muaj më parë në Ekuador.
Ora News siguron dosjen e grupit kriminal që akuzohet se trafikonte kokaine e marijuanë nga Amerika e Jugut e nga vendet ballkanike drejt Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Hollandës e Sllovenisë që drejtohej nga Dashi.
Tashmë për këtë grup janë arrestuar 16 persona në një operacion të kryer në Shqipëri, Itali dhe në Poloni
Grupi kriminal trafikonte sasi të mëdha droge që mbërrinte në Europë e një kapital financiar që garantonte strehimin e korrierëve të drogës e makinat lluksoze për transportimin e saj.
Makinat modifikoheshin në Slloveni, ndërsa banesat merreshin me qira nga persona të tretë, e përdoreshin si për strehimin e korrierëve dhe për magazinimin e lëndës narkotike. Kokaina mbërrinte nga Amerika e Jugut përmes rrugës detare në portet europiane duke përdorur teknikën rip-off
Hetimet investigative të antidrogës e të antimafias italiane të qytetit të Torinos të shtrira në territorin kombëtar dhe në shtetet Shqipëri, Ekuador, Slloveni, Polonia, Gjermani, e Zvicër kanë çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh droge të akuzuar për trafikun e një sasie lëndësh narkotike me vlerë rreth 4.5 milionë euro.
Dashi u ekzekutua më 22 janar 2022 në një restorant të vendosur në Avenue Joaquín José Orrantia, pranë një qendre tregtare në veri të Guayaquil.