Qyno: Ka një ujdi mes kultivuesve, trafikantëve dhe policisë në trafikimin e drogës

Policia ka konfiskuar një dron në të cilin ishte lidhur një pako PVC me nëntë pako marijuanë, gjithsej nëntë kilogramë, ditën e djeshme, 8 prill.

Ndërkohë gazetari i Ora News, Elton Qyno, në një intervistë për RTV Ora, me gazetarin Sebastian Zonja, tha se futja e pajisjeve  digjitale në këtë aktivitet, merr spunto nga fuqia ekonomike që kanë grupet kriminale.

Elton Qyno: Futja e këtyre pajisjeve digjitale në aktivitetin kriminal siç është trafiku i drogës merr spunto jo vetëm nga fuqia ekonomike që kanë grupet kriminale për të blerë dronë, por merr spunto dhe nga lajmet e përditshme që ne dëgjojmë në lidhje me aktivitetin që kanë dronët.

Ai tha se me dron është bërë përpjekje që edhe brenda burgjeve të futen armë dhe drogë, por nuk ia kanë arritur duke qenë se në burgje janë instaluar pajisje që bllokojnë valët.

Elton Qyno: Me dron është bërë përpjeke që të fusin dhe sasitë e drogës apo armësh, brenda burgjeve në Shqipëri, por për shkak të implementimit që ka bërë drejtoria e burgjeve duke instaluar në çdo burg pajisje që nuk lejojnë depërtimin e valëve, kjo e ka bërë të pamundur që droni të deportojë brenda burgjeve.

Ndër të tjera ai tha se policia kontrollon 95% të territorit në Shqipëri por varet se sa menaxhon. Gazetari shton se trafikantët, kultivuesit e drogës dhe policia kanë një ujdi me njëri-tjetrin.

Elton Qyno: Policia mund ta ketë 95% deri 100% të kontrollit, e shikon se kush i menaxhon parcelat e kanabisit, por nga ana tjetër e kontrollon, por varet se si e menaxhon. Policia e kontrollon si territor, por e menaxhon në atë lloj forme që të bind të ty që në atë zonë nuk ka drogë, por në fakt është e kundërta. Ka një ujdi, mes kultivuesve, trafikantëve dhe policisë në këtë biznes të paligjshëm. Sigurisht që kjo ka përfitimet e veta.