Ambasadorja Kim tensionon PD-në. Takon Alibeaj, e njeh si kryetar në detyrë e flet për presidentin. Nesër takon Ballën
Ndërsa pritej që PS dhe PD të uleshin në tryezë për të negociuar emrin e Presidentit të ri, procesi është ngrirë për shkak të ngërçit të krijuar brenda opozitës për drejtimin e kësaj force politike.
Me kushtin e socialistëve që nuk negociojnë me Sali Berishën ka zënë në vështirësi demokratët, të cilët nuk kanë mandatuar ende grupin për t’u ulur në tryezën e bisedimeve Damian Gjiknurin, Elisa Spiropalin dhe Taulant Balla.
Fill pas këtij ngërçi në skenën politike është rikthyer ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim. Pasi të hënën takoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla, një ditë më pas për rreth 70 minuta bisedoi me Enkelejd Alibeaj, por jo në selinë blu, për në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit.
Duke zgjedhur të mos prononcohet para interesimit të gazetarëve, diplomatja amerikane me anë të një statusi në Tëitter tregoi që pas dorëheqjes së Bashës, si kryetar njeh Enkelejd Alibeaj dhe jo Komisionin e Rithemelimit.
Kim: Bisedë shumë e mirë sot mbi një gamë të gjerë çështjesh me Kryetarin në Detyrë të PD dhe kryetarin e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj. SHBA kanë një marrëdhënie të fortë dhe të veçantë me PD-në qysh prej themelimit të saj. Ne e çmojmë këtë marrëdhënie & rolin e pazëvendësueshëm të PD-së për Shqipërinë. SHBA dhe Shqipëria kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE e demokracisë. Të vijojmë të ecim së bashku përpara, jo prapa."
Por lëvizja dhe komentet e ambasadores Yuri Kim kanë shqetësuar jo pak demokratët, duke e akuzuar drejtpërdrejt si aktoren kryesore e përçarjes së opozitës.
"Ky është me tepër se turp! Kjo zonja që ka dalë hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar në rajon, prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarjen e opozitës, sot ka ndërmarrë një akt të fundit. Zonja ambasadore, me arrogancë, tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare megjithëse flet gjithë kohen për drejtësinë. Ti zonjë mund të takosh kë te duash dhe si te duash, po nuk mund të vendosesh mbi gjykatat e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve", tha Paloka nëpërmjet një statusi në Facebook.
Por pavarësisht pakënaqësive të demokratëve, takimet e Kim nuk përfundojnë më Alibeaj, të mërkurën në 11:30 ambasadorja amerikane do të shkojë në zyrën e kryetarit të grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla.



