Pati shkëmbim zjarri, pas autorit të plagosjes arrestohet dhe administratori i Kallmetit te Trauma

Policia e Lezhës ka zbardhur dinamikën e përplasjes me armë të premten në Kallmet të Lezhës ku mbeti i plagosur administratori i Kallmetit Besnik Simoni, duke vënë në pranga edhe këtë të fundit, përpos autorit të ngjarjes Altin Marku. Sipas policisë të dy personat e përfshirë në konflikt kanë përdorur armë kundër njëri-tjetrit.

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur të premten në fshatin Kallmet të Lezhës, ku mbeten të plagosur kreu i kësaj njësie Besnik Simoni dhe 41-vjeçari Altin Marku.

Pas veprimeve hetimore, rezulton se ka patur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit dhe dy të plagosurve ju është komunikuar flet arresti në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin mjekim për shkak të plagëve të marra.

Sipas policisë në ngjarje janë përdorur dy armë, ndërsa ai që e ka nisur konfliktin dyshohet të ketë qenë 41-vjeçari Altin Marku. Ky i fundit është përplasur verbalisht në zyrë me kreun e Njesisë Administrative Besnik Simoni, konflikt i cili pak orë më vonë degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit nga të dy personat.

Në cilësinë e proves materiale policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi Altin Marku, 19 gëzhoja si dhe dy automjete.

Ndërsa arma tjetër e përdorur në këtë ngjarje, e cila dyshohet të jetë përdorur nga kreu i Njesisë Administrative të Kallmetit Besnik Simoni, nuk është arritur ende të gjendet.

Ndaj dy të arrestuarve janë ngritur akuzat “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe materialet hetimore, janë referuar në prokurorinë e Lezhës.

Nga veprimet e kryera rezulton se konflikti mes Besnik Simonit dhe Altin Markut e kishte zanafillën kohë më parë.

Sipas burimeve Altin Marku e kishte sharë Besnik Simonin, teksa punonte në një rrugë me disa punëtore dhe në ato momente janë përplasur verbalisht me njëri-tjetrin.

Çështja mes tyre duket se nuk ishte zgjidhur dhe mesditën e së premtes, ata janë konflikuar sërish në rrugë, konflikt i cili degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.