Plagosi me armë administratorin e Kallmetit në Lezhë, arrestohet autori, ishte fshehur në një banesë

4 orë pas plagosjes me armë zjarri të kreut të Njesisë Administrative Kallmet, Besnik Simoni, policia ka arritur të neutralizojë dhe prangosë autorin e dyshuar Altin Markun.

Marku u kap në banesën e një të afërmi të tij në fshatin Kallmet, ndërsa policia gjeti dhe sekuestroi dhe armen e krimit.

Të mbështetur dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës blutë krehën të gjithë zonën, ndërsa operacioni policor u drejtua nga Zv\drejtori i Hetimit të Krimeve në Policinë e Lezhës Luan Hyseni.

40-vjeçari u shoqërua në ambientet e komisariatit të Policisë Lezhë ku dhe pritet të merret në pyetje mbi rrethanat e ngjarjes.

Besnik Simoni, kryetar i Njësisë Administrative Kallmet në Lezhë, mbeti i plagosur rëndë në një atentat me armë zjarri ndodhur sot (1 prill 2022) në derë të godinës ku ushtron detyrën zyrtare.

Ai u qëllua të paktën tre herë me pistoletë në mes të rrugës nga Altin Marku, i cili pas sulmit është larguar duke humbur gjurmët.

Siç njofton policia atentati pasoi një debat të fortë verbal mes zyrtarit vendor dhe agresorit.

Por motivet e konfliktit për momentin mbeten të paqarta.

Besnik Simoni, rreth 47-vjeç mësohet se ka marrë plumba në shpatull dhe në bark, ndërsa një person i dytë që ndodhej në makinë bashkë me të ka shpëtuar pa lëndime.

Ka qenë ky i fundit që e ka transportuar me makinë në spitalin e Lezhës për mjekim.

Në gjendje të rëndë shëndetësore zyrtari është sjellë më pas për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Plagosi me armë administratorin e Kallmetit në Lezhë, arrestohet