Situata në PD, Strazimiri: Demokratët po bëhen bashkë, pavarësisht se në cilën anë i trullosi vendimi i 9 shtatorit

Gent Strazimiri, nga Komisioni i Rithemelimit, shprehet se bashkimi i demokratëve po ndodhë çdo ditë.

Në një intervistë për Ora Neës, Strazimiri shprehet se zyrat e PD në rrethe pothuajse janë hapur të gjitha, ndërsa ka shtuar se demokratët po bëhen bashkë pavarësisht se në cilën anë i ndau 9 shtatori, dita kur Lulzim Basha përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD.

Gent Strazimiri: Bashkimi po ndodhë çdo ditë, demokratët që nuk kanë gjë për të ndarë, nuk kanë votë për të ndarë nuk kanë nevojë as për negociata as për negociatorë që të bashkohen. Pothuajse të gjithë degët e PD kanë hapur zyrat, ku demokratët i janë bashkuar për procesin e organizimit për të qenë gati, për Kuvendin e datës 30 prill. Nga Puka në Përmet nga Korça në Lushnje demokratët janë bashkuar dhe zyrat e PD janë hapur dhe hapen çdo ditë. Demokratët aty po i zhvillojnë mbledhjet. Janë që të gjithë të bashkuar, pavarësisht se në cilin anë i trullosi vendimi i 9 shtatorit. Demokratët kanë përballë vetëm Ramën.

Ndër të tjera ai shprehet se Sali Berisha nuk është përjashtuar nga grupi parlamentar, ndërsa thekson se Gjykata vendosi të miratojë statutin e 11 dhjetorit.

Gent Strazimiri: Berisha nuk është i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD për disa arsye, e para sepse vendimi i kryetarit krejtësisht personal dhe jo-statusor është nul, e dyta rikonfirmuar në referendumin që pati. Gjykata në fund fare me vendimin e saj duke legalizuar dhe duke regjistruar të gjitha vendimet e Kuvendit të PD sigurisht ka hedhur poshtë Kuvendin që Basha mblodhi. Cilido që mund të kapet pas fijes së kashtës pas një vendimi nul, për mendimin tim të ardhmen e ka të shkurtër.