Dhoma gati për kultivim kanabisi, arrestohet 47-vjeçari në Kurbin

Policia e Kurbini ka zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e  bimëve narkotike, me anë të llambave.  

Në pranga ka rënë pronari i banesës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje elektrike dhe hidraulike që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë dhe të OSHEE-së, është konstatuar se pronari i banesës kishte kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

"Bazuar në informacionet, policia ka ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Shpërdhet, Njësia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin. Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit L. N. është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në ambientet e brendshme të banesës, u evidentua një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. N., 47 vjeç, banues në fshatin Shpërdhet" njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.