Elezi thirrje Gledis Nanos të qëndrojë larg politikës: Tahiri shkatërroi Policinë e Shtetit

Vendi ynë është tronditur nga ngjarjet kriminale të ndodhura ditët e fundit. Më 29 mars Nuredin Dumani mbeti i plagosur pas një atentati në aksin Cërrik-Elbasan. Mbërmjen e djeshme, 30 mars dy të rinj të dyshuar për grabitje, u arrestuan nga policia pas një ndjekje disa orëshe në zonën e Astirit në Tiranë, ndërsa sot administratori i Kallmetit, Besnik Simoni mbeti i plagosur rëndë në një atentat me armë jo larg zyrës së tij.

Ish-drejtuesi i policisë së Shtetit, Ismail Elezi në një intervistë në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se si në çdo fushë të jetës edhe rendi e siguria do të futeshin në vorbullën që është futur Shqipëria.

Elezi: Po të shikojmë ngjarjet çfarë ndodh gjatë ditës apo në kohët në vazhdim, është e pafalshme që persona me precedent penal, persona të shpallur në kërkim të cilët janë të dyshuar për vepra të ndryshme kriminale, marrin guximin dhe vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal.

Atentati ndaj Nuredin Dumanit më 29 mars 2022 në aksin Elbasan-Cërrik

Elezi: Nëse do t'i referohemi kësaj ngjarjeje, të vish nga qyteti i Fierit dhe të futesh në atë zonë duhet të kalosh të paktën disa qytete, Fieri, Lushnja, Rrogozhina, Peqini dhe të përfundosh atje. Nëse ne do kishim shërbime policie minimalisht shërbime të qarkullimit rrugor padiskutim që do ishte parandaluar. Është mjaft e rëndë që në mes të ditës në një zonë të banuar, merr guximin personi dhe gjuan me automatik kallashnikov. Veprimet që ka bërë policia mbrapa, fakti që ka lëvizur i plagosur pa u ndalur nga askush tregon që shërbimet e policisë nuk janë efiçente. Policia e shtetit duhet të ulet dhe të bëjë analiza të detajuara. Krimi ngrihet mbi strukturën dhe kjo është e pafalshme.

Zoti Elezi shtoi se Policia e Shtetit ka aftësi për ta goditur krimin, por sipas tij ka humbur besueshmëria.

Elezi: Është detyrim i punonjësve të policisë që me grupe vëzhgimi të bëjë veprimet e duhura në kohën e duhur. Kështu i jep një besim dhe opinionit publik. I thotë "po pavarësisht se kush ishte personi i dyshuar për veprën penale" edhe unë si qytetar them po. Policia ka detyrimin ligjo që për çdo ngjarje prononcohet. Duke i lënë gjërat kështu mendoj që nuk bëjmë gjë tjetër vetëm e sfumojmë këtë.

Sa të lidhura janë bandat në Shqipëri me politikën? A i bën politika të paprekshëm nga policia?

Elezi: Element kriminal që të jetë më i fuqishëm se struktura e policisë së shtetit nuk ka dhe nuk mund të ketë. Hallkat që futen brenda i përziejnë ujërat janë pikërisht këto. Policia e shtetit bën aksione, goditje, por ku i bën? Policia ka resurse që bën goditje dhe askush nuk mund të ndalë mbi policinë. Kur ndërhyn politika është përfundimi që ne po flasim.

Elezi tha se "i pari që e shkatërroi policinë e shtetit është Saimir Tahiri."

Elezi: Jo e shkatërroi, por i vuri kazmën. Ne jemi dëshmitarë që Shqipëria në kohën kur Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm vetëm hashash dhe kanabizim i vendit u bë dhe fakti që Saimir Tahiri bashkëpunoi dhe u dënua për këtë punë tregoi që ne ish-punonjësit e policisë ishim në të drejtë. Jo që kishim ndonjë inat me Saimir Tahirin por na vinte keq që vendi përfundoi në ato nivele. Personi i dytë pas Saimir Tahirit ishte Fatmir Xhafaj. Policia e shtetit zbaton politikat e qeverisë.

Elezi i bëri thirrje Gledis Nanos që të qëndrojë sa më larg politikës dhe goditja mbi krimin që po lulëzon duhet të jetë më e ashpër.

Përgatiti Xhuljana Zhuleku