Telenovela e incineratorëve dhe misteri i arrestimit të Bllakos, Gjokutaj: Policia vuri në rrezik ekzekutimin e vendimit
Në orën 03:30 minuta të mëngjesit të sotëm, 1 prill ish-deputeti socialist Alqi Bllako është arrestuar. Kjo ngjarje nxiti një tymnajë në opinionin publik pas aludimeve se mund të ishte arratisur. Janë hedhur shumë akuza për zhdukjen 9-orëshe të ish-deputetit i cili nuk u prangos si të akuzuarit e tjerë në dosjen e incineratorëve. Avokati Genc Gjokutaj në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se deklarata e SPAK sqaron atë që ka ndodhur.
Gjokutaj: Nga ana e SPAK të paktën për pjesën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës janë ndjekur të gjitha procedurat që ligji parashikon për raste të tilla. Nga momenti që i është dhënë policisë deri në momentin që është ekzekutuar vendimi kemi një hapësirë të errët që lë shumë për të dëshiruar. Policia ka pasur detyrë ta mbajë në vëzhgim deputetin. Ose e ka bërë, është akoma më e rëndë ta ketë bërë, ta ketë ditur dhe mos e ekzekutojë vendimin. Kjo pjesë mbetet e errët pasi nga ana e policisë nuk është bërë transparencë në këtë rast. Thuhet vetëm që është ekzekutuar dhe për orarin polica jep një orar të rremë. Ndërkohë që SPAK thonë që në orën 03:30 minuta është bërë ekzekutimi. Edhe nga kjo deklaratë nuk është e qartë nëse deputeti Bllako është dorëzuar vetë apo është ekzekutuar nga policia.
Avokati Sokol Hazizaj, që mbron ish-deputetin Alqi Bllako postoi një foto nga avioni në Instagram me mbishkrimin "Ciao, përqafime." Analistët, komentatorët, gazetarët e kronikës kanë aluduar se Bllako mund të ketë dhënë garanci apo mund të ketë negociuar. Në gjykimin e avokatit Gjokutaj të hysh në negociata disa orë para arrestit është një veprim aventuresk.
Gjokutaj: Këto elemente mund të jenë prezentë kur është një polici po diletante dhe aventureske e cila me marrjen e vendimit për urdhër arrestin duhet të bënte ekzekutimin e menjëhershëm. Nuk e cakton personi nën arrest orarin se kur do të duhet t'i nënshtrohet kësaj mase. Ky është një precedent shumë i shëmtuar kur policia nuk ka bërë transparencë në lidhje me ekzekutimin e vendimit dhe ka neglizhuar sepse kjo është një procedurë rutinë kur policia duhet të veprojë menjëherë sapo policia merr urdhrin e ekzekutimit. Masa e arresti një nga kriteret kryesore për të cilat caktohet është rreziku i ikjes. Duke vepruar në një mënyrë të tillë policia nëse nuk ka qenë prezente dhe në dijeni të këtij skenari ka vënë në rrezik serioz ekzekutimin e vendimit.
Përgatiti Xhuljana Zhuleku
