Incineratorët, Murrizi: Komisoni Hetimor show mediatik, SPAK kishte filluar punën para 1 viti e gjysmë

Kryetari i Partisë Lëvizja Demokratike Shqiptare, Myslim Murrizi, Komisionin Hetimor për incineratorët e ka konsideruar si show televiziv, pasi SPAK sipas tij kishte nisur hetimet në lidhje me aferën para 1 viti e gjysmë.

Në një intervistë për Ora News, Murrizi e cilësoi si një komision për të ‘larë’ Ëngjëll Agaçin, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurin.

Myslim Murrizi: E vërteta është se SPAK e kishte filluar 1 vit e gjysmë përpara show televiziv  të Komisionit të famshëm të Jorida Tabak-ut. Unë e pashë si një komision për të larë Ëngjëll Agaçin, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurin. Pse duhet të bësh show, kur komisionet hetimore operojnë në bazë të kodit të procedurës penale. Pse duhej gjithë ky show, si Big Brother Vip, gallatë e madhe. Ky vend ka edhe rob që kanë kurajo, liri i kanë sytë në ballë, që s’lëpihen.

Ai shprehet se Lulzim Basha në krye të këtij Komisoni Hetimor fillimisht caktoi Enkelejd Alibeajn, por që më pas u vendos Jorida Tabaku. Ndër të tjera Murrizi shprehet se hetimet për Alqi Bllakon dhe të tjerët kanë nisur përpara mbledhjes së Komisionit Hetimor, ndërsa shton se raporti i këtij të fundit nuk ka mbërritur ende në duart e SPAK.

Myslim Murrizi: Në dijeninë time, Basha ka përcaktuar si kryetar komisioni Enkelejd Alibeaj, por si duket nuk ia lanë. Pjesa e Alqi Bllako-s dhe tjerë kanë qenë në proces para komisionit. Akoma s’u ka mburritur në dorë raporti i Joridës. Kur flet drejtësia tjerët duhet të heshtin. Lëre SPAK- të vazhdojë. SPAK është shumë herë më përpara në përgjime. Lefter Koka është arrestuar kur këta akoma se kishin ndarë mendjen nëse do të futeshin apo jo në parlament. Dhe Alqi Bllako, Mërtiri dhe Zoto ka kohë që po hetohen. Kanë qenë që në vitin 2020.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.