Nis Muaji i Madhërishëm i Ramazanit, simbolika e Agjërimit dhe rregullat që duhen ndjekur
Është muaji i sakrificës, i mëshirës, i lartësimit të shpirtit, muaji ku besimtarët i afrohen rrugës së Krijuesit. Besimtarët Myslimanë nisin Muajin e Madhërishëm të Ramazanit më 2 prill. Në një intervistë për RTV Ora Imami Erjol Haxhiu me gazetaren Besmira Pelushaj rrëfen s e cila është simbolika e këtij muaji.
Haxhiu: Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit hënor dhe simbolika e agjërimit, sakrificës që besimtarët myslimanë bëjnë për tu afruar më shumë me Zotin. Duke qenë se besimtari privohet për një kohë të shkurtër nga ushqimi dhe nga nevojat më bazike e kupton më së miri gjendjen e atij njeriu që ndoshta privohet nga këto gjëra për një kohë të gjatë dhe kështu bëhet më solidar, më bujar dhe qëndron më afër shtresave në nevojë.
Por si përcaktohet në kalendar data e fillimit të muajit të Ramazanit?
Haxhiu: Normalisht ne ecim me kalendarin Diellor, por Ramazani caktohet në Kalendarin Hënor. Dita e Agjërimit në Shqipëri është shumë e vjetër dhe të thuash një datë ekzakte është e vështirë, por Islami në trevat tona një pjesë mendojnë se ka ardhur nga tregtarët arabë një pjesë nga Perandoria Osmane. Mund të themi që edhe para se të vijë Perandoria Osmane në trevat shqiptare ka pasur persona që kanë qenë besimtarë dhe kanë mbajtur agjërim.
Çfarë nënkupton Agjërimi? Rregullat që duhen ndjekur
Haxhiu: Besimtarët që të quhet i Agjërueshëm duhet të privohet nga tre gjëra, nga konsumimi i ujit dhe i ushqimeve dhe të largohet nga marrëdhëniet intime bashkëshortore nga koha e agimit deri në kohën e akshamit, kur fillon të erret. Ky është shpjegimi i shkurtër i agjërimit. Por në vetvete synimi i agjërimit nuk është vetëm kaq. Në vetvete synimi i Agjërimit është që personi të edukojë veten, të lehtësohet nga ana shpirtërore, të bëhet një individ më i mirë. Ramazani synon që te të gjitha veprimet e tij të nxjerrë një njeri ideal që është më afër Zotit dhe më afër njerëzve.
Muaji i Ramzanit nis të shtunën e dy prillit. Për 30 ditë besimtarët ndalohen të konsumojnë ushqim dhe pije nga lindja e diellit e deri në perëndim.
