Muaji i sakrificës e mëshirës, besimtarët myslimanë nisin të shtunën Muajin e Ramazanit

Është falja e të premtes.

Besimtarët Myslimanë i ndajnë vetëm pak orë nga nisja e muajit të sakrificës e mëshirës, Muajit të Madhërishëm të Ramazanit.

Atli Shehu, 82-vjeç, thotë se ndihet i lumtur që edhe këtë vit do të mund të agjërojë në emër të dashurisë për Allahun.

"Gjithçka e fiton në këtë muaj, mjafton ta bësh me zemër dhe me dashuri, jo për hipokrizi", tha ai.

Tregon se ka agjëruar edhe gjatë diktaturës, kur besimi ishte i ndaluar nga regjimi.

"Njëherë kur unë agjëroja, isha i ri fare pa shkuar ushtar mora disa karamele të vogla dhe mora e disa gurë. Më erdhi drejtori i ndërmarrjes e më provokoi, tha ti agjëron. Jo i thashë nuk agjëroj. Po tha e di. I thashë ja karamelet, merre një kokërr. E hëngri ai. I qëlloi tamam karamelja. Unë e dija ku është guri dhe e futa gurin në gojë", tha zoti Shehu.

Të rinjtë i fton t`i afrohen besimit dhe të shohin të njeri-tjetri vlerat e jo të metat.

"Duhet të vijnë sepse këtu gjejnë dashurinë ne Zotit", tha ai.

Në Xhaminë e Et`hem Beut në namazin e të premtes ishte edhe Erisa.

Nuk vjen nga një familje myslimane. Me besimin islam është lidhur vitet e fundit.

21-vjeçarja thotë se ky muaj i Begatë fal jo vetëm lumturi shpirtërore por i bën njerëzit më të dashur e të afruar me njëri-tjetrin.

"Ne kemi një lutje që e bëjmë gjithmonë për Ramazanin "O Allah na mundëso ta arrijmë Ramazanin sepse gjatë një viti mund të ndodhin shumë gjëra të ndryshme dhe jo çdokush e ka fat që ta arrijë", tha ajo.

Imami i Xhamisë së Et`hem Beut, Elton Karaj tregon vlerat dhe rëndësinë që mbart për besimtarët Muaji i Ramazanit.

"Ky muaj është muaji i zbritjes së Kuranit. Është një muaj sakrifice, një muaj bën të cilin besimtarët me orare relativisht të zgjatura do të jenë agjërueshëm" tha Karaj.

Bën thirrje që në këto ditë të shtohen veprat e mira dhe vëmendja të kthehet te ata që ndodhen në vështirësi.

"Me mbështetjen e tyre financiare por gjithashtu dhe me lutjet e tyre që do t'i drejtojnë Zotit", tha Karaj.

Muaji i Ramzanit nis të shtunën e dy prillit. Për 30 ditë besimtarët ndalohen të konsumojnë ushqim dhe pije nga lindja e diellit e deri në perëndim.

Muaji i sakrificës e mëshirës, besimtarët myslimanë