“Jemi si të gjithë”, ëndrra e 15-vjeçarit me autizëm: Dua të bëhem kitarist

15-vjeçari me autizëm Soirdio Balla kërkon të trajtohet si bashkëmoshatarët.  Në një intervistë për Ora News ai tregon ëndrrën e madhe, të ngjitet në skenat botërore me kitarë.

Me anë të këtij mesazhi 15-vjeçari Soirdio Balla po u tregon të gjithëve se pavarësisht se i përket spektrit të autizmit, është njësoj si bashkëmoshatarët dhe si i tillë do që të trajtohet.

E ka një ëndërr, që një ditë të bëhet kitarist i famshëm.

"Kitarist i famshëm."

E ëma, Mirela tregon se do të bëjë gjithçka për t'ia realizuar ëndrrën të birit.

"Të marrësh vesh që ke një fëmijë me një sëmundje për të cilën nuk e ke idenë çfarë është shumë e vështirë. Çdo ditë do zgjohesh për të luftuar sepse nuk e di se çfarë mund të sjellë dita, si mund të reagojë fëmija. Është shumë e vështirë sepse do një njeri ta ketë gjithë kohën ta shoqërojë, nga ana financiare dëmton se kurset janë të kushtueshme, terapi pa fund. Ky është 15 vjeç, 15 vite terapi", tha e ëma.

42-vjeçarja teksa na tregon vështirësitë e të rriturit një fëmijë me spektrin e autizmit apelon dhe institucionet që ti kushtojnë më shumë rëndësi kësaj kategorie.