Nuredin Dumani mbyll gojën për atentatin në Elbasan, nesër masa e sigurisë për vrasjen e Bujar Çelës
Gjykata e Posaçme i komunikoi në spital në orën 15:00 masën e sigurisë "arrest me burg" Nuredin Dumanit tri ditë pas arrestimit të tij në Fier.
Ndërkohë, avokati mbrojtës i tij Armand Trakaj, në një deklaratë për mediat, ka treguar akuzat me të cilat po përballet Dumani.
Ai tha se akuzat e ditës së sotme kanë qenë për vrasjet në Durrës, ku viktima mbetën dy vëllezërit Haxhia si dhe Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, si dhe për atë në Elbasan, përfshirë dhe atentatin që ndodhi më 29 mars, ku dhe Dumani mbeti i plagosur.
Nesër sipas avokatit, do të jepet masa e sigurisë në lidhje me vrasjen Bujar Çelës, vëllanë e Talo Çelës, më të cilin Dumani është edhe në konflikt.
Armand Trakaj: Ne si palë mbrojtëse nuk e kuptojmë këtë qëndrim të prokurorisë. Sot ishte masa për akuzën vrasje në bashkëpunim e mbetur në tentativë, nesër do të jetë një masë tjetër për Bujar Çelën. Sot ishte masa për ngjarjen e Durrësit. Dumani nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk është mirë të flasë.
Nuk di se kush e ka bërë atentatin, janë sekrete hetimore. Prokuroria pretendon se ka dijeni, por ne nuk e besojmë. Klienti nuk ka pas për qëllim për të kryer vepër penale, por lëvizte i armatosur për shkak të problematikave që ka dhe kjo nuk është më sekret.
Ai sot ka akuza për dy ngjarje të Durrësit dhe dy ngjarje të Elbasanit, përfshirë dhe këtë për të cilën është arrestuar, ku mbeti dhe vet i plagosur. Akuza të tjera zyrtare nuk ka.
Forcat RENEA dhe policia e Fierit bënë të mundur arrestimin e shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i akuzuar për disa vrasje, mbrëmjen e të martës, 29 mars. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe Henrik Hoxhaj e Mirjetë H.
Dumani u kap apartament në një pallat në lagjen "Apolonia" në Fier, ku dhe po mjekohej për plagët që kishte marrë.
Operacioni për kapjen e tij nis pas një atentati të dështuar rreth orës 17:35 të 29 marsit 2022 pranë fshatit Papër, në vendin e quajtur "Ura e Zezë", në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, e cila të lidh me qytetin e Cërrikut.
Bashkë me të u shoqërua edhe një vajzë e re dhe 40-vjeçari Henrik Hoxhaj.
Ky i fundit u kap me pistoletë në brez dhe besohet se është njeriu që transportoi Dumanin pas atentatit në Elbasan drejt Fierit ku ai kishte ngritur një strehë sigurie. Aty u gjetën edhe armë.
Nuredin Dumani dyshohet se ishte në Elbasan pasditen e së martës, 29 mars, për të kryer një atentat.
Por misioni kriminal besohet se ishte dekonspiruar dhe “Hija”, siç njihet ai në botën e krimit, ishte shitur nga persona të besuar tek rivalët.
Në fshatin Papër, ai ra pre e një sulmi me breshëri arme zjarri ndërsa udhëtonte me makinën tip BMW që rezultoi se ishte e vjedhur.
Dyshimet janë se atentati mund të jetë vazhdim i përplasjes me ish-mikun Talo Çela, por ky i fundit thuhet se nuk ka qenë vetë i pranishëm.


