Kthehet Berisha, ikën Basha. Alibeaj përplaset me ish-kryetarin: Pjesëmarrja në grup e paligjshme
Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, është rikthyer në mbledhjen e grupit parlamentar pas rreth 6 muaj përjashtim. Duket se dhe forcat në këtë seli kanë ndryshuar, pasi ka qenë vetë Lulzim Basha që nuk ka marrë pjesë. Pavarësisht kësaj debatet nuk kanë munguar, kur Enkelejd Alibeaj ka rikujtuar vendimin e firmosur pasi Berisha u shpall non grata nga SHBA.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për regjistrimin e kuvendit të 11 dhjetorit të iniciuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka përmbysur situatën në selinë blu.
Në mbledhjen e grupit parlamentar është paraqitur ish-kryetari Sali Berisha, dikur i larguar nga grupi, por mungonte Lulzim Basha, i dorëhequr në 21 mars nga detyra e drejtimit të Partisë Demokratike.
Situata solli jo pak debate, kur kryetari i parlamentarëve të djathtë Enkelejd Alibeaj i ka deklaruar Berishës së pjesëmarrja e tij nuk ishte e ligjshme, pasi ishte i përjashtuar.
Madje ai e ka cilësuar këtë veprim si një cënim të mesazhit për bashkim.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Berishës i cili e ka konsideruar anti-statutor përjashtimin në 9 shtator me vendim të Bashës, pak kohë pasi u shpall non grata nga SHBA-ja.
Debatet me dyer të mbyllura u pasuan edhe në deklaratat për mediat, ku Alibeaj i qëndroi deklarimeve të tij.
"E gjitha kjo është një atmosferë pushtimi me thënë të drejtën, e ndodhur që pas vendimit të Gjykatës, të cilin ju e dini shumë mirë se do të apelohet".
Vetë Berisha këmbëngul se do të jetë sërish në mbledhjet e grupit, teksa shton se deri në sqarimin e situatës Alibeaj do të respektohet si kryetar i grupit.
Pavarësisht kësaj në parlament duket se as vendet e ulëseve nuk ndryshuan por Berisha vazhdoi të qëndrojë në rreshtat e fundit të sallës së seancës parlamentare.


Çfarë deklaroi Berisha dje dhe reagimi i Bardhit
Pyetje: Zoti Alibeaj ka pranuar që në mbledhje të grupit të jenë edhe të përjashtuarit, por jo Sali Berisha?
Sali Berisha: I pari që do të jetë në atë mbledhje është Sali Berisha. Sali Berisha ka një detyrim madhor absolut nga Kuvendi i 11 dhjetorit, të konfirmuar me referendumin e 18 dhjetorit dhe me zgjedhjet e 6 marsit. Nuk e di nëse zoti Alibeaj të jetë shprehur kështu dhe nëse ju ka autorizuar ju.
Por Gazment Bardhi në një reagim në Twitter, deklaroi se askush nuk duhet t'i imponohet apo të injorojë vendimin e Grupit Parlamentar.
Ai i referohej shpalljes "non grata" të Sali Berisha dhe shkruan se deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur 'non grata' nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit.
Kjo është mbledhja e parë e grupit që pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që i ktheu partinë dhe logon Grupit të Rithemelimit.
Deputetët prezent në mbledhje:
-Luan Baçi
-Edmond Spaho
-Tritan Shehu
-Flamur Noka
-Bledian Nallbani
-Selaudin Jakupllari
-Kastriot Piroli
-Belind Këlliçi
-Sorina Koti
-Ervin Salianji
-Dhurata Çupi
-Arbi Agalliu
-Luçiano Boçi
-Edi Paloka
-Isuf Çela
-Dashnor Sula
-Gerta Bardeli
-Xhelal Mziu
-Enkelejd Alibeaj
-Flamur Hoxha
-Agron Shehaj
-Lefter Gështenja
-Tomor Alizoti
-Helidon Bushati
-Gazment Bardhi
-Zef Hila
-Ramadan Lika
-Albana Vokshi
-Eralda Tase
-Oerd Bylykbashi
-Bujar Leskaj
-Andia Ulliri
-Lindita Metaliaj
-Sali Berisha
-Saimir Korreshi
-Ina Zhupa
-Emilja Koliqi
-Jorida Tabaku
-Elda Hoti
-Merita Bakiu
-Fatjon Veizaj
Mungojnë:
-Agron Gjekmarkaj
-Alfred Rushaj
-Ferdinand Xhaferri
-Flutura Açka
-Grida Duma
-Kasem Mahmutaj
-Kreshnik Çollaku
-Lulzim Basha
-Orjola Pampuri
-Zheni Gjergji
-Ilda Dhori

