Berisha në PD, Maliqi: Ditë me diell, brenda majit kryetari i ri. Basha dorëheqje të trukuar
Ish-deputeti, Lefter Maliqi, e konsideron një ditë historike dhe ditëlindje të dytë për Partinë Demokratike rikthimin e sotëm të Berishës në parti.
Maliqi: Sot është një ditë historike dhe ditëlindje e dytë e PD dhe opozitës në terësi pavarësisht se dhe zgjedhjet e 6 marsit patën njëfarë fryme opozitare. Berisha i ka dhënë provat, edhe në '97-ën mendonim se nuk vjen më në pushtet dhe ai në 2005 i bashkoi të gjithë dhe erdhi në pushtet. Tani kemi një Berishë tjetër, për herë të parë vendosi primaret.
Sipas tij, Alibeaj po zbaton porositë e Bashës, i cili që në gjykimin e tij ka bërë një dorëheqje të trukuar.
Maliqi: Kjo është një fitore, sot Berisha bëri një akt të civilizuar demokrat, politikani largpamës dhe perëndimor, vajti në seli pavarësisht se çfarë nuk ka thënë miku im Alibeaj, jam i habitur me qëndrimet e tij dhe pse nuk janë të tij por të dirigjuara nga komandant Basha që bëri një dorëheqje të trukuar dhe e gënjen mendja se mund të kthehet nesër. Të gjithë lëvizjet janë me porosi të Ramës dhe ndonjë ndërkombëtari. Po të shihni leximin e Alibeaj si kryetar i komanduar, sekretari i Përgjithshëm komandon kryetarin e PD, vetëm këtu dëgjon. Ka të drejtë Këshilli Kombëtar të komandojë kryetarin e PD deri në zgjedhjet e ardhshme. Leximi i letrës ishte:Të bashkohemi, pra pakica i thotë shumicës të bashkohemi, dhe pas zgjedhjeve lokale ne të bëjmë zgjedhjet për drejtuesin e PD. Pra ti japim përsëri Ramës pushtetin lokal, po i dhe pushtetin lokal ai të merr pushtetin qëndror.
Në një intervistë për Ora News ai tha se PD dhe fronti opozitar është drejt fitores.
Maliqi: I frikësuar nga pazari është Rama. Çdo protestë është çarë me të gjitha mjetet e tij për shkak edhe të mungesës së opozitës. De facto ka filluar riorganizimi në bazë dhe për zgjedhjet lokale. Nëse Rama mezi fitoi me gjithë pushtetin dhe bandat, në rastin konkret nuk është më ai.
Maliqi thotë se qetësia është prishur në PS, teksa kujton kohën kur ish-kolegët deputetë socialistë ngrinin dolli për Bashën.
Maliqi: Unë si deputet në mandatin 2019-2021 kur takoja deputetët e Komisionit të Sigurisë, kolegët e mi të PS, bënin dolli për Bashën. Sa të kemi Bashën, thonin, ne do të jemi në pushtet prapë. Nuk e mendonin kurrë humbjen e PS. Tani ka një reagim tjetër. Do të thoni ju Berisha është non grata në SHBA. Qëndrimin e tij e ka dhënë Berisha dhe në gjykatë, ka treguar që është mik i kampit tjetër, të konservatorëve. Sot për përballjen me Ramën duhet një organizim dhe lider i fortë, PD do të jetë me shumë parti aleate. Por edhe zbritja e Ilir Metës në bazë, është lider tjetër që bashkon dhe forcon. Ky bashkim i madh do bëjë kthimin e opozitës në pushtet dhe të shpëtojë vendi.
Maliqi ka bindjen se brenda muajit maj PD do të ketë kryetarin e ri.
Maliqi: Ramës i lumtë që gjeti Lulin dhe e futi në sqetull. Faji nuk është vetëm i Lulit por edhe i segmenteve të PD, edhe vetë Berisha por ka kërkuar ndjesë për zgjedhjen e tij. Sot është ditë me diell, do të vazhdojë procedura për zgjedhjet në parti. Në 30 prill zgjidhet Këshilli Kombëtar dhe Kryesia. Do të zgjidhet kryetari brenda muajit maj.
