Arrestohet shitësi i farave të kanabisit në Elbasan, i kapin dhe mallin në shtëpi

Një 20 vjeçar nga fshati Griqan është arrestuar pasi akuzohet se ishte shitësi i farave të kanabisit në Elbasan. Policia e qytetit informoi se në momentin e arrestimit i janë gjetur dis fara kanabisi dhe më pas gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur mbi 44 mijë fara kanabisi.

Operacioni policor u kodua “GRIQAN 2022” dhe policia kishte marrë  informacione në rrugë operative se 20 vjeçari ushtronte aktivitetin kriminal të kultivimit te bimëve narkotike dhe shitjes së farave bimore narkotike, në qytetin e Elbasanit.

“Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në lagjen ”28 Nëntori”, është ushtruar kontroll fizik ndaj këtij shtetasi, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi farash bimore të dyshuara narkotike, të llojit cannabis sativa. 

Në vijim të kontrollit, në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi farash të dyshuara narkotike, të llojit cannabis sativa, një sasi farash të kultivuara në gota plastike dhe municion luftarak.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 44.380 fara të dyshuara kanabis, municion luftarak dhe sende të tjera të dyshuara që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan.

I arrestuari B. M., 20 vjeç, banues në fshatin Griqan, Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi F. K., 20 vjeç, banues në fshatin Griqan, Elbasan .