Meta kujton vizitën e Albright në Tiranë: Dëshmitar i vendosmërisë së saj për sigurinë në Ballkan

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një nga personaliteteve më të spikatura të politikës së jashtme amerikane, Sekretaren e Shtetit në vitet 1997-2001, Madeleine Albright.

Meta thotë se ajomishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane.

"Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm, Zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje. Roli i saj për Çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviçit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit".

Kreu i Shtetit thekson se shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA.

Ai shton se ka patur privilegjin e veçantë ta priste në Tiranë, gjatë vizitës së saj zyrtare në shkurt të vitit 2000, të vijonin takimet zyrtare në Uashington në gusht 2000, si dhe në shumë raste të tjera, duke ndarë çaste të paharrueshme dhe duke qenë dëshmitar i përkushtimit dhe i vendosmërisë së saj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

Meta thotë se zonja Albright nuk do të kujtohet vetëm për pozitat e larta si e para grua, por mbi të gjitha për vlerat për të cilat luftoi dhe virtytet e larta njerëzore, që dëshmoi.

"Ngushëllime familjareve dhe popullit amerikan për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme! Lutem që shpirti i saj të prehet në paqen e merituar!"