Xhepa: Qeveria dritëshkurtër, shkurton shpenzimet në arsim, bujqësi e shëndetësi, por jo PPP-të
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa i ftuar në RTV Ora u shpreh se pjesa më e madhe e kërkesës së brendshme për energji po mbulohet nga importi.
Ai tha se nuk duhet të ishin shkurtuar shpenzimet në arsim dhe bujqësi, pasi arsimi ka probleme prej vitesh, apo edhe investimet në bujqësi dhe shëndetësi.
Xhepa shtoi se qeveria ka marrë borxh për të bërë kontrata gjigande të PPP-së dhe se është në pamundësi për të marrë më borxh.
Xhepa: Pjesa më e madhe e kërkesës së brendshme për energji po mbulohet nga importi. Çmimet në treg nuk janë shumë pozitive sepse janë në rritje. Implikimet që do të vijnë për buxhetin në këtë aspekt janë shumë të rënda. Të ardhurat për buxhetin për këtë vit janë diku te 3.3 miliardë që do të thotë se 1 miliardë janë më shumë se sa investimet totale të buxhetit të parashikuara për këtë vit. Qeveria duhet të ishte treguar vizionare. Nuk duhet të ishin shkurtuar shpenzimet në arsim dhe bujqësi. Arsimi ka probleme prej vitesh, apo investimet në bujqësi dhe shëndetësi.
Për mua kjo është një dritëshkurtësi në raport me politikat afatgjata të zhvillimit të vendit sepse i kemi konsumuar angazhimet buxhetore për luks. Kemi marrë borxh për të bërë kontrata gjigande të PPP-së. Ky është problemi që unë nuk kuptoj. Qeveria nuk mund të shkojë drejt këtyre zgjidhjeve afat shkurtra , duke mos bërë reforma dhe duke marrë vetëm borxh. Qeveria nuk e ka më të mundur që të marrë borxh sepse do të prodhonte efekte negative në ekonomi. Po shkurton shpenzimet, inshallah nuk shkurton edhe pensionet.

