“Celulë seksuale”, komedia e “hidhur” e Longaretti-t vihet në skenën e “Eksperimentalit” në 24 mars
Në skenën e teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të shfaqet premiera e komedisë “Celula Seksuale”. Komedia pasqyron një realitet të hidhur, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, që ilustrohet nga katër aktore femra, të cilat mbajnë rolin e operatoreve telefonike.
“Celulë seksuale” titullohet komedia, që shënon premierën mbrëmjen e së enjtes në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”.
Komedia e ashtuquajtur e hidhur, me autore saj A. Longaretti bën fjalë për katër gra, të moshave të ndryshme, të cilat janë operatore telefonike dhe shesin lodra seksi.
Por përgjatë dialogjeve ato shpalosin marrëdhëniet midis tyre, jetën e përditshme, dashuritë dhe urrejtjet, dramat e pasionet.
Në vepër interpretojnë Naum Shundi, Shegushe Bebeti, Delinda Disha, Jorida Meta dhe Françeska Hysi.
Aktorja, njëherësh dhe producentja Shegushe Bebeti e ka cilësuar si një ndër komeditë më të bukura, pasi prek plagë jo vetëm të shoqërisë sonë, por të të gjithë botës.
Për të pasqyruar sa më mirë interesat, dëshirat e problematikat autorja ka përzgjedhur aktore të moshave të ndryshme.
Ato ilustrojnë mardhëniet prind-fëmijë, të reja që nuk lindin dot fëmijë, apo të tjera që kërkojnë të adopotojnë.
Kjo komedi, ndryshe nga të tjerat, do të vihet në skenë për shikuesit në datat 24, 25, 26, 27 dhe 31 mars, si dhe me 1 2 dhe 3 prill.

