Pranvera nis me këngë në Shkodër

Koncerti tradicional pranveror në Shkodër është shndërruar në një festival të mirëfilltë të këngës popullore qytetare. Nderi i Kombit, Bujar Qamili triumfoi në edicionin e parë.

“Gëzim paçi gjithmonë”, e kënduar nga “Nderi i kombit” Bujar Qamili, triumfoi në edicionit të parë të festivalit të këngës popullore qytetare shkodrane.

"Jam shumë i kënaqur që mora pjesë në festival, kjo ishte më e rëndësishme. Shumë e rëndësishme është që bëhet një festival me këngë popullore në Shkodër", tha Qamili.

Me çmim të dytë në këtë festival u nderuan Megi Toma dhe Ademir Fresku, ndërsa me çmim të tretë Martina Serreqi.

Për organizatorët, realizimi i të dytit festival brenda një viti, pas “Luleborës” është dëshmi e prurjeve dhe talenteve që Shkodra ka.

"Shkodra gjithmonë di të bëjë gjëra të bukura."

"Festivalet bëhen për ne, që të kemi mundësi t'i këndojmë vetë këto kengë."

Për 2 net me radhë në skenën e teatrit “Migjeni” u ngjiten 13 artistë me 13 krijime të reja, duke rikthyer një traditë të bukur të këngës shkodrane.

Nuk munguan përshëndetjet e grupit “Karajfilat që ka Shkodra” dhe pjesët humoristike.