Ngordhja masive e pulave nga gripi i shpendëve, Duka: Dëmi miliona euro, shitja e vezëve është bllokuar
Një nga bizneset më të dëmtuara nga gripi i shpendëve ishte dhe pularia Aiba në pronësi të familjes Duka.
Deputeti, Agron Duka, thotë se janë 170 mijë shpendë të ngordhur.
Duka: Situata është e rëndë. Te Aiba që me datë 12 pati njëfarë mortaliteti, ngrodhje, që erdhi duke u shtuar nga dita në ditë. Specialistët e kësaj kompanie të shqetësuar lajmëruan organet kompetente, Autoritetin e Kërkimit Veterinar dhe të Mbrojtjes së Bimëve dhe ISUV-in. Pas 4-5 ditësh vjen përgjigjia që është një Laringo Tracheite, një sëmundje virusale. Por specialistët e kësaj kompanie duke qenë se mortaliteti ishte shumë i fortë për një Laringo Tracheite kërkuan njëfarë asistence nga specialistë shumë të mirë në Hungari, Itali dhe shtete të tjera me të cilët kanë marrëdhënie. Ata hodhën dyshime të forta në bazë të simptomave klinike që kjo mund të jetë dhe grip pulash. Këta ngulën këmbë dhe morën dhe vetë pjesë në analiza dhe doli që ishte gripi i shpendëve.
I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Duka e ka një përgjigje se pse autoritetet reaguan kaq vonë.
Duka: Ka dy mundësi: Ose e kanë fshehur, ose ato monstra që janë marrë kanë qenë vërtet Laringo Tracheite.
Po kaq problematike është dhe vonesa në groposjen e pulave të ngordhura.
Duka: Ajo që të trishton është fakti se sot kanë filluar pulat që të groposen, mortaliteti i pulave shkoi në 140 mijë te Aiba.Si rregull Ministria e Mjedisit dhe Bujqësisë duhet të përcaktonin vendin. Raste të tilla duhet të jenë të parashikuara, nuk janë sëmundje që vijnë papritur. Janë ciklike, nuk është hera e parë. Ka ndodhur në 2006 ku mori përmasa botërore, por në Shqipëri ka dhënë shenja dhe vitin që kaloi.Ministrja e asaj kohe Ekonomi ka lëshuar një urdhër që thotë plani i konvergjencës dhe thotë: "Në rastet e identifikimit të gripit të shpendëve merren masa që të eleminohen dhe ato që janë të gjalla dhe kompensohen pronarët".Ishin tre kompani dhe ministrja më thoshte që ju nuk keni pranuar ti çoni, që nuk është e vërtetë. Kemi rënë dakord me bashkinë e Shijakut që nëse respektohen rregullat e caktuara por rruga më e mirë do të ishte incenerimi.
Deputeti përjashtoi mundësinë e hedhjes së pulave në treg për mish duke qenë se janë pula vezësh, ndërsa shitja edhe për këto të fundit është bllokuar.
Por biznesi është i paqartë se çfarë do të bëhet me pulat e tjera, pasi mundësia e kontaminimit është e madhe, thotë Duka
Duka: Pulat në treg nuk hidhen fare se këto janë vetëm për vezë. Por edhe nëse konsumohet një pulë nuk të bën gjë pas zierjes dhe piqjes. Veza absolutisht jo.
AKU ka lëshuar një urdhër që për pulat që realisht duhen bërë prapë analiza se mundësia që të kenë edhe këto influencë është shumë e madhe. Nuk lejohen vezët të tregtohen. Verzët nuk shiten, pulat vazhdojnë dhe hanë ushqim ndërkohë nuk ka urdhër eleminimi. Ka logjikë kjo? Është burim infeksioni. Kam parë një reagim tjetër nga kjo e Bujqësisë kurse kjo kishte njëfarë arrogance. Zoti Duka e keni fajin sepse nuk jeni marrë vesh me tre firmat.Kjo është bombë mjedisore.
Dëmet nga sëmundja përllogariten në miliona euro.
Duka: Shumë janë prekur. Dy stabilimente të mëdha pothuajse janë zhdukur fare. Aiba është e vetmja pulari që vazhdon të ketë akoma 230 mijë pula që konsiderohen të shëndetshme derisa Ministrja nuk jep urdhër eleminimi. Ajo thotë se vezën nuk ke për ta shitur se e paragjykon që mund të jetë e infektuar ndërkohë urdhër eleminimi akoma nuk ka ardhur, besoj se do ta japë se është alogjikë.Çmimi i vezëve do të rritet për dy arsye, e para nga mungesa e në treg por edhe nga lëndët e para se janë trefishuar. Një pulë e tillë do 5-6 euro për ta përgatitur, dëmet janë miliona euro.
Situata e krijuar në vend ka sjellë edhe ndërprerjen e zinxhirit të eksporteve.
Duka: Nuk ka vend për alarm. Nuk janë vatra në gjithë territorin. Në rang kombëtar janë 500 mijë pula të ngordhura.Ka qenë prezent në disa shtete të botës. Por ato kanë buxhete të mira dhe kanë marrë masa për asgjesimin, kompensimin dhe rifillojnë ciklin pasi kalojnë 3-4 muaj. Këtu dëmi mund të shkojë më gjatë, varet sa qeveria do të jetë disponibël të mbështesë këto biznese.
