Dorëheqja e Bashës truk, Bozdo: Alibeaj foli me të njëjtën gjuhë, e mban konfliktin të hapur
Edhe pse deklaroi publikisht dorëheqjen si kryetar partia, Eno Bozdo thotë se Lulzim Basha po zgjat agoninë e shkatërrimit të PD-së përmes truqeve.
Bozdo: Shikoj të njëjtin skenar që ishte përvijuar një apo dy javë më parë kur filloi e gjithë skema e lodrave kukafshehti, hapa para, hapa pas, kushtëzime të pakuptimta. Tani ka dy mundësi teorike: Ose ata njerëz që kanë mbetur aty në atë seli nuk kuptojnë fare as mesazhin e 6 marsit dhe as çfarë kërkon PD dhe opozita e vërtetë dhe po bëjnë lojërat e tyre të vogla. Ose është një sajesë e tëra, një truk.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, anëtari i Grupit të Rithemelimit të PD-së, Eno Bozdo, tha se pasardhësi i Bashës në krye të partisë Enkelejd Alibeaj folit me të njëjtën gjuhë si ai, duke mbajtur konfliktin e hapur brenda partisë.
Bozdo: Sot do të kishte qenë mirë për demokratët të shikonim një marrje përgjegjësie të plotë nga Lulzim Basha, për Komisionin e Rithemelimit dhe për Partinë e vërtetë Demokratike ai është tashmë i shkarkuar, do të kishte qenë e udhës nën rrugën e tij dy nënkryetarëte që kanë mbetur, sekretari i Përgjithshëm, anëtarët e Kryesisë të kishin marrë dhe ata përgjegjësitë e tyre përsa u takon sepse në këtë aksion politik kanë qenë plotësisht me Lulzim Bashën. Deri para pak muajsh ne quheshim të korruptuarit e Foltores dhe anija e turpit.
Nëse do të ndodhte diçka e tillë pa vendosur asnjë lloj kushti dhe për ti hapur dyert bashkimit të plotë të demokratëve dhe atyre pak që kanë qëndruar nëse ka ende andej më akoma, do ta konsideroja një gjest me vullnet të pastër dhe të mirë. Gjë që nuk ndodhi. Skemat e kushtëzimeve një hap mbrapa unë po dhe ti patjetër një hap mbrapa se po nuk e hodhe ti nuk e hedh as unë, ika unë po këtë parti e drejton ky tjetri… këto janë truqe për të zgjatur agoninë e rrëmbimit të siglës. Sot Alibeaj ka folur me të njëjtën gjuhë që flet Basha, në vend të kontribuonte për të zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje, e mban konfliktin të hapur. Kujt i intereson kjo? Edi Ramës. Vazhdon dhe luhet akoma me ato 5 njerëz që kanë mbetur atje. Kjo nuk më sjell asgjë veçse zhgënjim.

Kushtin e vendosur nga Grupi Parlamentar i PD-së për mënjanimin e zotit Berisha Bozdo e sheh të parealizueshëm ndësa shton se demokratët po bashkohen në bazë dhe po vijojnë përgatitjet për Kuvendin e 30 prillit.
Bozdo: Demokratët po bashkohen në bazë. Çështja është e tillë: Do dikush që këtë sigël, këtë histori ta marrë dhe ta tërheqë zvarrë, ta poshtërojë më keq se në 6 mars? Nëse do siç edhe duket, në emër të kujt e bën këtë gjë? Në emër të Lulzim Bashës, Edi Ramës? Kujt i intereson vazhdimi i kësaj gjendje konfliktuale brenda PD? Ju them unë, përfituesi i madh është mazhoranca dhe Edi Rama. Kujt i shërben vendosja e kushteve kur e dimë që këto kushte nuk kanë kuptim, janë qesharake dhe për më tepër dihet se çfarë qëndrimi ka Komisioni i Rithemelimit për këtë çështje.

