Tabaku hoqi dorë, PD-në do ta drejtojë Enkelejd Alibeaj gjatë periudhës tranzitore
Partia Demokratike do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj përgjatë kësaj periudhe tranzitore pas dorëheqjes së kryetarit Lulzim Basha.
Njoftimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Mësohet se Tabaku, nënkryetarja tjetër e PD-së, ka hequr dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë.
Bardhi: Pasi jam njohur me deklaratën e kryetarit të Partisë Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën nënkryetarët e Partisë, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD, Arta Sakja.
Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy Nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë.
Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë.
Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj.

