Astrit Patozi: Është herët për t'u gëzuar nga ikja e Bashës
Ish-kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, deklaron se dorëheqja e Lulzim Bashës ishte e pritshme, madje tmerrësisht e vonuar.
Në një reagim në facebook, Patozi thotë se si çdo gjë në këtë botë që zvarritet gjatë nuk është e thënë patjetër që të bëjë mirë edhe kur më në fund litari këputet.
Ndaj sipas tij është shumë herët për ta parë atë si një çlirim të madh për fatin e mëtejshëm të Partisë Demokratike.
"Mendoj se ajo i ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për perspektivën e saj politike, pasi ka lënë prapa një fushë të minuar. Tani varet shumë se si do ta lexojnë protagonistët e tjerë ikjen jo aq të padjallëzuar të kryetarit tashmë të larguar nga zyra e selisë së PD".
Nëntë vite pasi mori drejtimin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dha sot dorëheqjen duke lënë partinë më të madhe të opozitës në krizë të thellë.
Ai tha se përpjekja e tij për bashkimin e PD dështoi ndërsa përjashtimin e Sali Berishës e cilësoi si vendimin politik më të vështirë në karrierë.
Ish-kreu i PD-së theksoi se demokratët janë të lidhur nga konflikti politik, ndërsa apeloi për një proces zgjedhor transparent për drejtuesin e ri të partisë.

