Dëshmitë: Qyteti i Mariupolit po fshihet nga faqja e dheut, ka tym dhe kufoma kudo

Refugjatët e parë nga qyteti port i rrethuar jugor i Mariupolit kanë mbërritur në Lviv në Ukrainën perëndimore.

Të evakuuarit përshkruajnë skena terrori në qytetin i cili është nën bombardimet e vazhdueshme ruse.

“Qyteti po fshihet nga faqja e dheut”, thotë 28-vjeçarja Yulia Yashenko.

Julia dhe prindërit e saj të moshuar janë në mesin e një grupi prej disa qindra personash që mbërritën në Lviv këtë mëngjes.

“Shtëpia na është djegur nga artileria. Ata qëllojnë me gjithçka në qytet, çdo armë përdoret”, thotë ajo.

"Ka tym të zi kudo. Kufoma ka kudo dhe nuk ka kush t'i mbledhë."

Julia thotë se pasi shtëpia e tyre u dogj, ajo dhe prindërit e saj kërkuan siguri në teatrin e qytetit për nëntë ditë - duke u larguar një ditë para se të bombardohej.

“Është vetëm fati që jemi gjallë. Ne mund të ishim vrarë në çdo kohë. Njerëzit na çuan me makinën e tyre jashtë qytetit në korridorin  humanitar.”

Oleksandr Pertsovskyi, CEO i Kompanisë së Pasagjerëve të Hekurudhave të Ukrainës thotë se 350 njerëz janë evakuuar nga Mariupol në Lviv.

"Ne kemi qenë të vendosur për të shpëtuar sa më shumë fëmijë të pambrojtur të jetë e mundur, në mënyrë që mbrojtësit të përqendrohen në punën e tyre," thotë ai.