Putin shfaqet në publik në mes të stadiumit, i ndodh e papritura nga televizioni shtetëror rus
Presidenti rus, Vladimir Putin është shfaqur në publik dhe ka folur me mijëra rusë të cilët kishin mbushur stadiumin Luzhiniki, në një aktivitet që shënon tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë.
Stadiumi ishte i mbushur me flamuj rusë dhe shkronjën "Z", e cila ka ardhur për të simbolizuar pushtimin.
Putin përshëndet "operacionin special" të Rusisë në Ukrainë, duke pretenduar se objektivi i tij është të shpëtojë vendasit "nga vuajtja dhe nga gjenocidi".
Mes brohoritjeve, ai i thotë turmës: "Rusia përpara!"
Por papritur në fund të fjalimit të Vladimir Putin, televizioni shtetëror shkëputi fjalimin e tij dhe filloi të luajë një këngë patriotike.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha më pas se fjalimi u ndërpre për shkak të një "dështimi teknik në server".
Presidenti rus kishte lavdëruar trupat e tij, të cilët tha se vazhdonin të "luftonin heroikisht" në Ukrainë.
