Gjenden të gjallë dy vëllezërit 6 dhe 8 vjeç, 26 ditë të zhdukur në xhungël

Dy vëllezër të mitur të cilët kishin 4 javë që ishin zhdukur në xhunglën e Amazonës në Brazil janë gjetur të gjallë nga një druvar këtë të martë, 16 mars.

Fëmijët tetë dhe gjashtë vjeç humbën në xhunglën ku kishin shkuar për të kapur zogj më 18 shkurt.

Qindra banorë vijuan kërkimet me javë edhe pse shërbimet e urgjencës vendosën të ndërpresin kërkimet më 24 shkurt për shkak se sezoni i shirave I bënte kërkimet shumë të vështira.

“Katër javë më vonë, djemtë u gjetën nga një druvar 6 km (3.7 milje) nga fshati Palmeira ku djemtë jetonin me prindërit e tyre",- ka thënë një media lokale Amazonia Real.

Njëri nga djemtë e vegjël kur dëgjoi trokitjen e sëpatës thërriti për ndihmë dhe druvari arriti ti gjente të dy djemtë e vegjël, Glauco dhe Gleison Ferreira të uritur të dobët dhe me shumë gërvishtje në trup.

Fëmijët u dërguan në një spital rajonal në Manicoré, përpara se të transportoheshin me helikopter në një spital tjetër në Manaus, këtë të enjte, në mëngjes",-raporton media lokale Amazona Real.

Dy fëmijët u kishin thënë prindërve se që nga dita kur ata kishin humbur nuk kishin ngrënë asgjë vetëm kishin pirë ujë shiu.