Të arrestuar për terrorizëm ndërkombëtar në Itali, Ora News mëson emrat e 4 shqiptarëve (Pamje nga operacioni)

RTV  Ora e Ora News zbardh emrat e katër shqiptarëve të arrestuar pak ditë më parë nga autoritetet e Antiterrorizmit e Antimafias Italiane të Barit nën akuzën e terrorizmit ndërkombëtar e propagandës së doktrinës xhihadiste.

Katër të ndaluarit shqiptarë të vënë nën urdhër arresti shtëpiak janë Yljan Muça, 31 vjeç, Roland Lleshi, 37 vjeç, Elsio Ramku, 33 vjeç, Roland Belba, 37 vjeç, banorë prej vitesh në qytetet Bari, Adelfia e Rutigliano.

Akuza ndaj tyre është se kishin organizuar një fushatë mbledhje fondesh për të financuar aktivitetin terrorist të Imamit të Xhamisë së Letrës në Kavajë, Genci Abdurrahim Balla i dënuar nga drejtësia shqiptare me 17 vite burg.

Promotor i kësaj fushate mbledhje fondesh financiare ishte Yljan Muça i cili është në lidhje fisnore me Roland Belbën, ndërsa Elsio Ramku e Roland Lleshi luanin rolin e ndërmjetësve. Elsio Ramku ishte punonjës në zyrën teknike të Bashkisë së Barit.

Hetimet e autoriteteve italianë kanë zbardhur se 37 vjeçari shqiptar Roland Belba ishte personi që kryente transferimin material të parave përmes kanaleve të pagjurmueshme, duke i transportuar paratë në çanta të fshehura në kamionë që udhëtonin përmes rrugëve detare e trageteve të linjës.

Në dy vite hetime janë dokumentuar udhëtime të tilla çdo dy muaj.

Ndaj shqiptarit Yljan Muça rëndon dhe akuza e terrorizmit ndërkombëtar pasi në një grup WhattsApp i përdorur dhe për fushatën e mbledhjes së fondeve të financimit të imamit shqiptar, ai kishte shpërndarë linke videosh nga arrestimi i 40 personave të dyshuar si mbështetës së doktrinës xhihadiste me të cilëve dhe Genci Abdurradhim Balla.

Në përgjimet e kryera nga prokurorët italianë, të arrestuarit e konsideronin pandeminë globale si një "ushtar i vogël i dërguar nga Allahu për të ndëshkuar mos besimin e perëndimorëve".

Hetimet e antiterrorizmit italianë janë kryer me teknika moderne bazuar në përgjimet e komunikimeve të kryera në internet, në kontrollin e materialeve që të arrestuarit kishin në zotërim e që përmbanin dokumente propagandistike, komunikata e deklarata të përkthyera dhe në gjuhën shqipe të Abu Bakr AL BAGHDADI e  Ebu Ibrahim E1 Hashimi EL KURESHI.