“Dalim me humbje” Rama-operatorit: Edhe njëri dilte me humbje e merrte tendera, ka një magji këtu
Një operator i transportit publik në takimin sot me kryeministrin Rama i tha këtij të fundit se të gjithë linjat e transportit urban në kryeqytet janë me humbje.
Ndërkohë Rama i është përgjigjur me një histori ku një person që merret me punë publike merret tendera edhe pse dilte me humbje.
Rama theksoi se nëse disa operatorë kanë që kur ka qenë ai kryetar i bashkisë së Tiranës dhe janë me humbje akoma, atëherë duhet parë modelin i tyre që të transferohet në të gjithë Shqipërinë me humbje e të dalin më mirë se me fitim.
Operatori: Ndoshta nuk është dhe momenti tani për shkak të luftës, por ma beso, unë që të paktën marr vesh dhe nga ana ekonomike, kam bërë analizë financiare dhe ju garantoj që të gjithë linjat e transportit urban në kryeqytet janë me humbje. Pra analizë të mirëfilltë, nëse do jetë e lirë dhe ministrja e Financave, të ulemi t’ia shpjegoj me analizë, që ta shohim që është biznes që është me humbje, nëse pretendojmë që të rrisim standardin e cilësisë së ofruar nga autobusa.
Edi Rama: Të kuptoj, por kur më thonë njerëz që merren me biznes që “unë dal me humbje”, unë filloj dhe kam pak problem, e kam pak problem se më kujtohet njëri që më ka thënë shprehjen më të bukur. E takoj një herë, dy herë, tre herë, në pika të ndryshme, ai merret me punë publike, mirëpo vë çmime, fiton tendera se i vë çmimet shumë ulët dhe i thashë, “bravo të qoftë, por si ia del? Unë fitoj me humbje”, më tha.
Këtu tek humbja tani të lutem, je në rregull, po deri tek humbja jo. Kur më thua që të gjithë këtu, disa kanë që kur kam qenë unë kryetar i bashkisë së Tiranës, janë akoma këtu me autobusë dhe janë me humbje, atëherë duhet ta shohim modelin tuaj që ta transferojmë në të gjithë Shqipërinë me humbje e të dalim më mirë se me fitim, se i bie të jetë një magji këtu. Kështu që deri tek humbja mos më ço. Tek vështirësitë jam dakord, tek nevoja për mbështetje jam dakord, tek të gjitha jam dakord por kur më thua që dalim me humbje, aty pastaj më krijon nevojë që të shkrydhem pak.

