Protesta e të shtunës, paketa e rezistencës e pamjaftueshme, të mbrohen kategoritë në nevojë
Përgjysmohet taksa për pagat deri në 50 mijë lekë në muaj. Ky është vendimi i fundit për paketën e rezistencës, të deklaruar nga kryeministri Edi Rama përmes facebook.
Por as kjo dhe as 3 mijë lekëshi për pensionistët apo bordi për çmimin e karburanteve dhe të ushqimeve nuk i ka kënaqur protestuesit.
Përmes një deklarate për mediat ata i kanë kërkuar dhe një herë prej qeverisë të marrë masa shtesë.
Kërkesat e protestuesve
-Heqja e taksës së qarkullimit dhe pezullimi i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit
-Pezullimi i TVSh-së për produktet bazë të shportës
-Zgjerimi i skemës së kompensimit dhe mbështetjes për fermerët
-Një paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike për tejkalimin e krizës
-Hetim dhe mbikqyrje të koncesioneve dhe operatorëve ekonomikë që ndikojnë arbitrarisht në çmimet në treg, veçanërisht në sektorin e hiodrokarbureve
Nëse kjo nuk do të realizohet premtojnë tubim pa ndalim para selisë së qeverisë.
Sipas skenarit të deklaruar protesta do të nisë nga sheshi "Skënderbej" për të vazhduar më tej drejt qeverisë.
