Kursimi i energjisë elektrike nis nga Fieri, Bashkia kufizon furnizimin me ujë të qytetarëve

"Ndërkohë që ne diskutojmë çmimet këtu rreziku me naftën apo me energjinë është mungesa", tha Rama.

Kur flet gjenerali, ushtarët binden.

Kryebashkiaku socialist i Fierit, Armando Subashi konfirmon se parimi i luftës zbatohet edhe në politikë.

Pak orë pasi i pari i qeverisë, deklaroi se po përgatitet skenar i kursimit të naftës dhe energjisë, ai nisi ta zbatojë.

Plani i Armando Subashit fillon me ujin që është produkti më jetik.

"Kufizimi do jetë nga ora 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit."

Këto kufizime vlejnë për qytetin që furnizohet 24 orë, pasi fshatrat e Fierit edhe tani furnizohen me orar.

"Do vazhdojnë me oraret që kanë qene, nuk do t'i prekë fare ky furnizim."

Synimi është ulja e faturës mujore të Energjisë së Ujësjellësit të Fierit që ashtu si thuajse të gjithë të tjerët janë të zhytur në borxhe, për shkak të keqmenaxhimit ndër vite.

"Të kursejmë të paktën te 350 mijë kilovat."

Lufta në Ukrainë dhe rreziku për një krizë botërore të energjisë duket se u ka dhënë zyrtarëve argumentin perfekt për të justifikuar çdo vendim.

Madje edhe terminologjitë të rikthejnë pas në kohën e luftës së Ftohtë.

"Sot është detyrë dhe patriotizëm i çdo drejtuesi dhe individi që të kursejë qoftë 1 kilovat ose dhe një litër naftë."

Bashkia e Fierit bëhet kështu institucioni i parë që nis ekonominë e luftës në mos qoftë eksperiment social si ai që bëri ish drejtori i i ujësjellësit të Sarandës.

"Unë i kamë lënë edhe 3 ditë pa ujë, për të parë se sa kërkesë kanë. S'i ka rënë asnjë telefonit që të thotë jam pa ujë."