E ardhmja te bujqësia, UBT marrëveshje me Universitetin e Miçiganit: Të rrisim kapacitetet
Rritja e popullsisë, burimet njerëzore dhe lufta e bën të detyrueshme kthimin e vëmendjes te buqësia. Për këtë qëllim Universiteti Bujqësor ka nënshkruar marrëveshje me partneriteti me Miçiganin. Në ceremoni kryeministri Rama nënvizoi se qeveria do të ketë në vëmendje këtë sektor.
Në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin e Miçiganit dhe atij Bujqësor në Tiranë, kryeministri Rama solli në vëmendje rëndësinë e kësaj fushe në kohën që jetojmë.
Nuk është vetëm lufta në Ukrainë por dhe rritja e popullsisë, ajo që e bën të domosdoshme rritjen e numrit të ekspertëve në këtë fushë.
Ndaj ai premtoi vendosjen në qendër të vëmendjes.
Rama: Të gjitha burimet natyrore janë të kërcënuara sot nga rritja eksponenciale e popullsisë në përgjithësi, nga shumë e shumë gjëra që ju i dini më mirë se unë e për t’u kthyer prapë në këtë sallë, në kuptimin e arsyes pse jemi mbledhur këtu, është themelore që ne së bashku t’i japim këtij Universitetit maksimumin e mundshëm për të përshpejtuar adoptimin e Universitetit Bujqësor me kohën dhe për të përshpejtuar modernizimin e Universitetit Bujqësor, duke shfrytëzuar sa më mirë burimet njerëzore të Universitetit.
E pranishme në ceremoni ishte dhe ambasadorja Yuri Kim, e cila edhe një herë përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për strehimin e familjeve afgane
Kim: Nuk kam për ta harruar kurrë mikpritjen dhe humanizmin e popullit shqiptar. Në aktivitet nuk munguan as batutat kur Rama solli në vëmendje sjelljen në periudhën e komunizmit.
Rama: Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori, “ju garantojmë zonja ambasadore”, mu kujtua koha kur vinte sekretari i partisë këtu nga komiteti dhe i thoshte ai dekani i vjetër dhe i thoshte “ju garantoj shoku sekretar i partisë se ne do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne".
Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi theksoi se sektori i bujqësisë është prioritet për zhvillimin e vendit dhe kjo duhet të reflektohet në shifrat e studentëve, të cilët zgjedhin degët e bujqësisë.
