Merret me fshat dhe fshatarë? Rama bën parashikimin: Bujqësori, Universiteti i të ardhmes. I kam tmerr njerëzit që flenë gjumë

Shefi i qeverisë, Edi Rama, deklaroi sot se Universitetit Bujqësor i Tiranës do të jetë Universiteti i të ardhmes.

Për kryeministrin nuk ka më vend paragjykimi se ky universitet merret me fshatarë dhe bujqësi, pasi në 10 vitet e ardhshme do të jetë simotra e Universitetit të Vjenës.

Rama: Unë besoj, mund të jem pakicë, por do bëhen shumicë, se ky universitet është një nga universitetet e të ardhmes. Nuk është çështja siç ka qenë Universiteti Bujqësor merret me bujqësi merret me fshat dhe fshatarë, këtu çështja është tjetër dhe do të jetë në fokusin e njerëzimit, shoqërive, vendeve dhe elitave akademike. Kjo që ndodh sot është një moment shumë domethënës në këtë drejtim. Është një luftë që ndër të tjera na tregon sesa nevojë  do të ketë bota jo thjesht ne, por bota për dijen dhe për zhvillimin e qëndrueshëm në funksion të garantimit të të jetuarit normalisht.

Të gjitha burimet natyrorë janë të kërcënuara nga rritja eksponenciale e popullsisë në përgjithësi. Arsye pse jemi mbledhur këtu është themelore që ne ti japim këtij universiteti për të përshpejtuar adoptimin dhe modernizimin, duke shfrytëzuar burimet njerëzorë të universitetit. Këtu ka një kapacitet burimesh për shkak të traditës dhe eksperiencës. Ne duam që brenda këtij 10 vjeçari, deri në 2030 ky këtu të jetë Universiteti simotra apo sivëllau i Universitetit të Vjenës. Kjo është plotësisht e mundur.

Kryeministri gjithashtu vlerësoi edhe Rektorin e UBT, duke ju referuar si njeri punëtor. Këtë element e cilësoi kyç për sinergjinë mes tyre, duke shtuar se i ka tmerr njerëzit që flenë gjumë.

Rama: Ne do vazhdojmë punën me rektorin i cili ka një energji të admirueshme, e shihni dhe kur mban fjalime që bën çmos të thotë sa më shumë në njësinë e kohës dhe për hir të vërtetës është kënaqësi për mua sepse unë i kam tmerr njerëzit që flenë gjumë dhe nuk janë të dhënë pas punës. Është kënaqësi kur Rektori herë pas here më kujton ndonjë gjë ose më ngacmon për ndonjë gjë kjo dhe ajo.

Duhet të bëjmë punë sëbashku dhe na shërbejnë këto partneritete që të tërheqim më shumë studentë që të vijnë këtu dhe të  studiojnë dhe të kuptojnë se këtu është e ardhmja. Sa ç'është në inovacion, teknologji, çfarë do bëjmë me ujërat, pyjet dhe gjithë ato burime të cilat nuk na i zëvendëson dot teknologjia dhe nuk prodhohen dot në mënyrë teknologjike dhe për të cilat duhet të kemi shumë më tepër dituri dhe qartësi si do ti shfrytëzojmë.

Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi sot një Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin e Miçiganit për programin e studimeve Master, për studentët afganë që ndodhen aktualisht në vendin tonë dhe që vazhdojnë studimet.

Kjo marrëveshje ngre urat për bashkëpunimin akademik për trajnimet, kërkimin shkencor, zhvillimin e kurrikulës, sigurimin e cilësisë, duke e bërë më tej UBT një destinacion tërheqës për të rinjtë, në rrugën e reformës së ndërmarrë bashkarisht mes Rektoratit dhe Ministrisë së Bujqësisë e të Zhvillimit Rural.