I dënuar për vrasje me dashje, arrestohet në Belgjikë 36-vjeçari nga Lezha i shpallur në kërkim
Mariglen Përgjini, 36 vjeç lindur në Manati, Lezhë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belgjikë.
36-vjeçari ishte dënuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
"Në kuadër të operacionit "Avenue", në Bruksel, Belgjikë, bazuar në informacionet e dhëna nga FAST Albania, u bë e mundur kapja, nga FAST Belgjika, e shtetasit Mariglen Përgjini, 36 vjeç, lindur në Manati, Lezhë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ky shtetas përdorte një pasaportë të falsifikuar bullgare, me qëllim që t’i shmangej identifikimit nga shërbimet policore", informoi sot policia.
Mariglen Përgjini ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 18 vjet burg, nga të cilët i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vjet, 4 muaj dhe 27 ditë burg, për veprat penale "Vrasja me dashje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
Gjithashtu ky shtetas është dënuar dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë, me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Kapja e këtij shtetasi u bë falë bashkëpunimit 1-mujor ndërmjet njësive FAST Albania dhe FAST Belgjika, të cilat gjatë kësaj kohe kanë shkëmbyer informacione, në mënyrë të vazhdueshme, deri në kapjen dhe arrestimin e personit të kërkuar.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Belgjikën, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë.
