Shqiptarët vetëm ikin jashtë, e moshuara: Na vjen keq për ju të rinjtë, ne e hëngrëm
Papunësia është një ndër arsyet kryesore që të rinjtë kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Qytetarët shprehen se shkaqet e largimit nga vendi janë arsyet ekonomike dhe pamundësia për të gjetur punë.
Shqiptarët vijojnë të kërkojnë azil në shtetet e Bashkimit Europian.
Të dhënat e fundit te Agjencisë për Azil te Bashkimit Europian bëjnë të ditur se në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan gjithsej për azil mbi 11 mijë persona, 77% e për herë të parë.
Qytetarët shprehen se shkaqet e largimit nga vendi janë arsyet ekonomike dhe nivelet e larta të papunësisë.
"Nuk jetohet, 1 mijë lekë buka një kafshatë. Na vjen keq për ju të rinjtë se ne e hëngrëm tani."
"Në një të ardhme nuk mendoj se do jetoj, këtu nuk do të doja që fëmijët e mi të arsimohen në Shqipëri."
"Nuk ka të ardhme këtu, nuk krijohet me këtë qeveri."
"E shikon si është Shqipëria me gjithë këtë korrupsion."
"Asnjë lloj mundësie nuk ka, ai që ikën është më i nderuar. Gjynah është, keq na vjen…"
Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se në raport me një vit më parë kur lëvizjet ishin të kufizuara për shkak të pandemisë, aplikimet për azil u rritën me 19%.
Rekordin e kërkesave për azil vijon ta mbajë viti 2015, me afro 69 mijë aplikime.
Pavarësisht tendencës në rënie, në raport me vendet e rajonit, shqiptarët duan te ikin më shumë se në të gjithë shtetet e tjera të rajonit.
Edhe në raport me popullsinë, Shqipëria mban rekord, me 3.9 aplikime për 1000 banorë.
